Biznes

Qendra e BE-së për prodhimin e çipave synohet të jetë në Saxony të Gjermanisë


Pa mungesën e çipave që frenuan furnizimin e makinave deri te levat e lojërave, ende pak njerëz do të dinin për fabrikën më të madhe të çipave në Bashkimin Evropian, GlobalFoundries në Dresden.

“Nuk kam pasur asnjë intervistë në media në 18 vitet e para të karrierës sime…asgjë”, ka treguar Guido Uberreiter, një inxhinier që mbikëqyr operacionet në fabrikën e vendosur në Gjermaninë Lindore.

“Askush nuk ishte i interesuar”, ka shtuar ai. Ama tani, të gjithë e kanë në vëmendje fabrikën ku ai punon.

Fabrika e GlobalFoundries, e cila prodhon çipa për pajisje nga Apple Watch te telefonat inteligjentë Samsung dhe Amazon Echo, tanimë ndodhet në qendër të vëmendjes,

Kjo pasi Brukseli synon të forcojë zinxhirët e furnizimit të gjysmëpërçuesve të Evropës dhe të zvogëlojë varësinë nga dominuesit, prodhuesit aziatikë, të tillë si Taiwan Semiconductor Manufacturing Company.

Ngado, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Korenë e Jugut dhe Japoni, qeveritë kanë premtuar dhjetëra miliarda dollarë mbështetje për ndërtimin ose zgjerimin e fabrikave gjysmëpërçuese.

E gjitha në një përpjekje për të ripërtërirë prodhimin e komponentëve thelbësorë. Kështu, kompanitë dhe rajonet që kanë nevojë për investime kanë kërkuar të bëhen përfituese.

Për rastin e Gjermanisë shpresohet se “Silicon Saxony”, që nxjerr një në çdo tre çipa të prodhuar në Evropë, do të jetë në qendër të përpjekjeve të BE-së.

“Saxony-a do të bëhet një nga qendrat gjysmëpërçuese industriale dhe teknologjike kryesore dhe më të avancuara të Evropës”, ka thënë Thierry Breton, komisioneri i BE-së për tregun e brendshëm.

Ai qëndron prapa ligjit të propozuar të BE-së për çipsat, i cili synon të dyfishojë pjesën e tregut global të Evropës për gjysmëpërçuesit në 20 për qind deri në fund të dekadës.

Gjithashtu qeveria e re e Gjermanisë e udhëhequr nga socialdemokratët është zotuar t’i ofrojë sektorit “mbështetje të mjaftueshme financiare përgjatë gjithë zinxhirit në mënyrë që të sigurojë, forcojë dhe zgjerojë këtë teknologji kyçe”.

Mirëpo, industria e atjeshme është e shqetësuar për pyetjet e mbetura pa përgjigje në lidhje me angazhimin e BE-së ndaj rajonit.

Në vitet 1990, grupi gjysmëpërçues i rajonit u ngrit kur zona ishte e mbushur me ekspertë të papunë mikroelektronikë të trajnuar nga ish-Republika Demokratike Gjermane.

Por rajoni u zbeh bashkë me interesin e zbehur të politikanëve.

Teksa Tajvani po forconte sektorin e gjysmëpërçuesve me subvencione nëntë shifrore në fillim të shekullit, mbështetja evropiane për industrinë intensive të kapitalit mbeti modeste.

Deri në vitin 2009, prodhuesi i çipave të memories me bazë në Dresden, Qimonda, i cili është një nga më të mëdhenjtë në botë, shpalli falimentin pasi ‘luftoi’ për të konkurruar me rivalët aziatikë.

Një faliment që erdhi pavarësisht apeleve për mbështetje ndaj Komisionit Evropian.

Për më tepër, ambicia e deklaruar e BE-së është të investojë veçanërisht te çipat më të avancuar, të cilët janë “10 herë më efikas në energji se sa tani”.

Shtetet anëtare si Italia dhe shtetet individuale gjermane kanë tërhequr Intel-in e Amerikës, i cili planifikon të shpenzojë dhjetëra miliarda euro për fabrikat e çipave në Evropë, për të prodhuar gjysmëpërçues të avancuar me dy nanometër.

As GlobalFoundries, as Bosch dhe as Infineon nuk prodhojnë pajisje të tilla.

Megjithatë, çipat e zakonshëm të energjisë, lidhjes dhe sensorëve të këtyre prodhuesve janë jetike për prodhuesit evropianë të automjeteve dhe mallrave të konsumit.

Këta të fundit kanë humbur miliarda euro të ardhura si rezultat i mungesës së gjysmëpërçuesve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore