Kosova

Qe 20 vjet nafta nuk ka qenë më shtrenjtë në Kosovë


Ilustrim

Pas shtrenjtimit të energjisë elektrike në Kosovë ditëve të fundit ndjeshëm është rritur edhe çmimi i karburantit.

Për Kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, çmimet e derivateve në Kosovë janë më të larta në 20 vitet e fundit, marrë parasysh gjendjen socio-ekonomike të kosovarëve.

Megjithatë Berjani, thekson se Kosova krahasuar me shtetet e rajonit është duke u shërbyer me çmimet më të lira sa i përket naftës, përveç Maqedonisë së Veriut e cila ka akcizën më të ulët për naftë me 22 cent.

“Rritja e çmimit të naftës është një dukuri globale e cila po reflektohet edhe në Kosovë, por krahasuar me rajonin Kosova paguan më lirë”, ka thënë Berjani për Albanian Post.

Ai madje ka potencuar se gjatë ditës së mërkurë të nëntë shkurtit pas një periudhe tre mujore është parë një zbritje e çmimit të karburantit për dy cent.

Fadil Berjani

Në anën tjetër për njohësin e politikave ekonomike, Erton Bega, paralajmërimi për shtrenjtimin e mëtutjeshëm të çmimit të naftë është tronditës marrë parasysh inflacionin e lartë që ka përcjellë ekonominë kosovare.

Sipas tij paralajmërimi për shtrenjtimin e çmimit të naftës do të sjellë pasoja zingjirore në ekonomi pasi do të ndikon në rritjen e kostos së transportit të mallrave.

“Situata socio-ekonomike do të rëndohej edhe më shumë, pasi të ardhurat e qytetarëve kanë mbetur të pandryshueshme. Rritja e kostos do të rezultonte me inflacion në produkte esenciale të konsumit të gjerë dhe kjo do të ishte e papërballueshme për qytetarët, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta”, ka thënë Bega për AP.

Erton Bega

Aktualisht çmimi i naftës në Kosovë varijonë ndërmjet 1.25 cent dhe 1.30 për dizel dhe 1.23 cent deri në 1.30 cent për llojin benzin.

Ndryshe gjatë muajit maj të vitit 2020 në pikun e pandemisë COVID-19 ishte shënuar një rekord i rënies së çmimit të naftës në Kosovë.

Kështu çmimi i karburanteve gjatë kësaj periudhe kishte rënë deri në 80 cent për një litër karburant.

Në anën tjetër, në Kosovë përveç rritjes së çmimit të naftës, është shtrenjtuar edhe energjia elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë orë, pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Tarifat e reja do të aplikohen nga 9 shkurti, deri më 31 mars të vitit 2023.

Ky vendim i ZRRE-së është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare në Kuvend dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat kanë deklaruar se kostoja e faturës për energji elektrike do të jetë e papërballueshme për qytetarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore