Lajme

Qatargate dhe përgjegjësia e Sarkozy – Armë, avionë, PSG e shumë të tjera në këmbim të një botërori?


Të dhëna të shumta të shpien në Paris, deri në korridoret e pallatit presidencial të Elyseesë!

Prej vitesh, Katari e ka penetruar tregun e financave, sipërmarrjeve, sektorit të pasurive të paluajtshme dhe hotelerisë, apo edhe të shërbimeve ushtarake e deri tek sporti.

Lavdi Francës nëse do ta marrë kupën. Lavdi Argjentinës, nëse do ta çojë në Buenos Aires.

Lavdi Messit dhe Mbappesë, nëse do ta shkruajnë sërish historinë.

Kundërshtarë sot në fushë, por shokë ekipi në klubin francez të Paris Saint Germain.

Ah po, edhe ky i fundit është në pronësi të Katarit!

Nuk ka veç akuza për kushte pune jashtë normales në Katar, për organizimin e këtij botërori kaq të kushtueshëm për botën, por të pakushtueshëm për një vend si Katari. Nuk është thjesht çështja e një infrastrukture, e cila u ngrit prej punës së emigrantëve, në kushte përtej normales.

Është edhe aspekti politik i gjithçkaje, nëse në Paris vërtetë ndodhi ajo që mendohej se ka ndodhur, me një takim “rastësor” kur Michel Platini ishte në krye të organizmit futbollistik evropian UEFA dhe fare “rastësisht”, takoi përfaqësues të shtetit të Katarit.

Deri në atë ditë, Platini ishte ndër zërat më kundërshtues për një kupë bote në një vend, i cili traditë futbollistike nuk ka.

Kur doli nga Elysee-ja, gjërat çuditërisht patën ndryshuar!

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, njihej në fakt për raportet e mira që kishte me zyrtarët e lartë të Katarit asokohe.

Vetë gazeta franceze Le Monde, e kujton se si në vitin 2010, ishte Sarkozy personi, i cili i pari foli metaforikisht për një kupë bote të tillë, kur ishte i ftuar në vitin 2010 në Doha, në një forum të organizuar prej Richard Attias, i cili është edhe partneri i ish-bashkëshortes së Sarkozy, Cecilia.

Çfarë ndodhi nëntë vjet më vonë?

Një hetim u hap për korrupsion në nivel shtetëror, me të përfshirë Sarkozy, Platini dhe me trashëgimtarin kryesor të Katarit, princin Al Thani.

Vetë Sarkozy qe i akuzuar për promovimin e fitores së Katarit në kandidaturat e organizimit të kupës së botës.

Arsyeja, ishte marrja e favoreve të tjera dhe investimeve nga Katari.

Gjashtë muaj më vonë, klubi kryesor francez, Paris Saint Germain, u ble pikërisht nga ata. Menjëherë më pas, katarasit futen edhe në grupin Lagardere, duke hedhur në treg kanalin televiziv BeinSports.

Ndër të tjera, shteti i Katarit blen 80 avionë Airbus A350, avionë ushtarakë Rafale, helikopterë Tiger si edhe sisteme mbrojtjeje ajrore Aster 30.

Të gjitha këto, prodhime franceze!

Ish-kreu i Fifa-s Sepp Blater, e ka përmendur gjithashtu atë darkë aq të rëndësishme mes Sarkozy, Platini dhe përfaqësuesve nga Katari.

Përmblidhet e gjitha në një rastësi dhe dëshirë të mirë?

Vështirë të thuhet.

Por, si kupë bote, veç futbollit, edhe për kësisoj detajesh të tjera, do të diskutohet në kohë.

Qatargate, protagonistët e valixheve me para dhe këshilltari misterioz

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore