Lajme

Putin udhëtoi drejt Kherson-it dhe Luhansk-ut për t’u takuar me ushtrinë


Presidenti rus Vladimir Putin udhëtoi në rajonet Kherson dhe Luhansk, përkatësisht në jug dhe lindje të Ukrainës, për të takuar ushtrinë e vendosur atje si pjesë e operacionit rus të nisur atje më shumë se një vit, njoftoi Kremlini të martën.

Deklarata e Kremlinit nuk specifikon se kur u zhvillua ky udhëtim, por tregon se presidenti rus uroi ushtrinë në rajonet Kherson dhe Luhansk me rastin e festës së Pashkëve Ortodokse, e cila u festua të dielën, dhe u ofroi “kopje të ikonave”.

“Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura të Federatës Ruse vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të Grupimit Ushtarak Dnieper në rajonin Kherson”, thuhet në deklaratë.

Ky është udhëtimi i parë i Vladimir Putin në rajonin Kherson që nga fillimi i ofensivës ruse në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

Putin u takua atje me komandantin e Forcave Ajrore Ruse, gjeneralin Mikhail Teplinsky dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë për të diskutuar situatën në rajonet Kherson dhe Zaporizhia, të cilat Rusia pretendoi se ishin aneksuar shtatorin e kaluar.

“Për mua është e rëndësishme të dëgjoj mendimin tuaj për situatën, t’ju dëgjoj, të shkëmbejmë informacione”, tha presidenti rus, sipas një video të publikuar nga Kremlini.

Ushtria ruse kishte braktisur qytetin Kherson, kryeqytetin e rajonit me të njëjtin emër, në nëntor 2022 për t’u tërhequr në anën tjetër të Dnieper-it.

Vladimir Putin udhëtoi gjithashtu në rajonin e Luhansk-ut në Ukrainën lindore, gjithashtu i pari, për t’u takuar me ushtarë nga stafi i Gardës Kombëtare Ruse të vendosur atje, sipas Kremlinit.

Në mars, Vladimir Putin kishte bërë tashmë vizita të papritura në Krime, një gadishull i aneksuar nga Rusia në 2014, dhe në Mariupol, një qytet port ukrainas i rrethuar për muaj të tërë dhe i pushtuar nga ushtria ruse në maj 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore