Lajme

Putin po kërkon të vendosë një lider pro-Kremlin në Ukrainë, sipas Britanisë


Nga Britania e Madhe kanë ardhur akuza të qarta se presidenti rus, Vladimir Putin, është duke u përpjekur të vendosë në krye të shtetit të Ukrainës një lider pro-Moskës dhe në këtë skenar, nga pala angleze ka ardhur një kërcënim ndaj kreut të Kremlinit, duke i kërkuar të stepet, ose masa do të merren.

Emri për të cilin bëhet fjalë, është Yevhen Murayev, një ligjvënës ukrainas. Sipas njoftimit nga Ministria e Jashtme britanike, ky është skenari rus, edhe pse prova të qarta nuk janë paraqitur.

Yevhen Murayev

E gjithë kjo deklaratë, vjen në një çast shumë delikat në raportet jo vetëm Rusi-Ukrainë, por edhe Rusi-Perëndim.

Rreth 100 mijë trupa të Moskës ndodhen në kufirin lindor të Ukrainës. Ata gjenden të përgatitur për të mësyrë ish-territorin e Bashkimit Sovjetik, nga çasti në çast.

Po aq e gatshme është shprehur edhe aleanca e NATO-s për ndërhyrje, në rast nevoje.

“Nuk do të tolerojmë vendosjen e një lidershipi pro-rus në Ukrainës”, shkruan ndërkohë në Twitter Liz Truss, ministrja e Jashtme britanike. “Kremlini e di se inkursioni ushtarak do të ishte një gabim strategjik dhe do të vuante pasojat”.

Nga ana e Moskës ose edhe vetë Murayev, nuk ka ende një përgjigje mbi këtë akuzë të radhës. E vetmja deklaratë e dhënë pre Kremlinit, është se lajmi po shpërndante dezinformim.

Dy ditët e fundit kanë qenë edhe më intensivet në vijimin e bisedimeve Rusi-Perëndim. Dështimi i radhës erdhi pal uljes në tryezë të kryediplomatit amerikan, Antony Blinken dhe homologut të tij rus, Sergei Lavrov.

Pavarësisht bisedimeve “të sinqerta”, asgjë nuk ndryshoi në retorikën e dy vendeve.

Teksa, për ta rënduar edhe më shumë gjithë ngjarjen, raportet e fundit sugjestionojnë se Ukraina mund të ketë vetëm pesë deri në shtatë ditë rezerva gazi – pasi furnizohet kryesisht nga Rusia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore