Lajme

Putin-i mashtron kombin e tij, thotë zëdhënësi i BE-së


“Fjalimi i Putin-it duhet parë në kontekstin e zgjedhjeve ruse për të cilat ai kandidon”.

Kështu ka thënë zëdhënësi i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Peter Stano, në përgjigje të një pyetjeje për fjalimin e presidentit rus Vladimir Putin në Asamblenë Federale.

“Ishte vetëm një mundësi tjetër për të përhapur gënjeshtrat dhe mashtrimet e njohura që ai po përpiqet të shumojë dhe përhapë”, ka shtuar ai.

Sipas zëdhënësit, Putin-i vazhdon të mashtrojë kombin e tij dhe gjithashtu përpiqet të mashtrojë opinionin publik ndërkombëtar, nëse ka ende dikush që e dëgjon atë.

“Putin-i është i vetmi përgjegjës për të gjitha pasojat e luftës si brenda, si në Ukrainë ashtu edhe globalisht”, ka shtuar ai.

“Edhe ne kemi armë të afta për të arritur në territoret tuaja”.

Kështu i është drejtuar Perëndimit presidenti rus, Vladimir Putin, në fjalimin e tij në dy dhomat e parlamentit rus.

“Ata u përpoqën të luftonin Rusinë në të kaluarën, por tani pasojat do të jenë shumë të këqija”, shtoi Putin, duke deklaruar se megjithatë është “marrëzi” të thuhet se Moska dëshiron të sulmojë Evropën.

Sipas tij, “gjithçka që po sajon Perëndimi çon me të vërtetë në kërcënimin e një konflikti me armë bërthamore dhe rrjedhimisht në asgjësimin e qytetërimit”.

Ai paralajmëroi gjithashtu se pasojat e vendosjes së trupave aleate në Ukrainë do të ishin “tragjike”.

“Ata filluan të flasin për mundësinë e dërgimit të kontingjenteve ushtarake të NATO-s në Ukrainë, por le të kujtojmë fatin e atyre që dikur dërguan trupa në territorin e vendit tonë. Por tani pasojat për ndërhyrësit e mundshëm do të jenë shumë më tragjike”, tha Putin.

Fjalimi vjen dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale, në të cilat Putini pritet të fitojë një mandat tjetër gjashtëvjeçar.

Fillimisht nisi me luftën në Ukrainë, ku Putin tha se “operacioni special ushtarak që Rusia po kryen në Ukrainë është një luftë e drejtë për sigurinë dhe sovranitetin” e Moskës”.

Moska, nënvizoi Putin, “nuk do të lejojë askënd të ndërhyjë në punët e saj të brendshme”.

Ndër të tjera, shtoi ai, “shumica absolute e rusëve mbështesin operacionin special ushtarak” dhe “luftëtarët e dinë se i gjithë vendi është me ta”.

Për më tepër, sipas presidentit rus, “Perëndimi donte të bënte me Rusinë njësoj siç bëri me Ukrainën, për të sjellë mosmarrëveshje dhe për ta dobësuar atë nga brenda, por ai e llogariti gabim”.

Në Ukrainë, “Forcat e Armatosura Ruse po përparojnë me besim në drejtime të ndryshme”, shtoi ai, duke nënvizuar se “aftësitë luftarake të Forcave të Armatosura Ruse janë rritur shumë herë”.

Sa i takon ekonomisë, Putin u shpreh se ajo “ka provuar të jetë fleksibël dhe e qëndrueshme”.

Ai vlerësoi punën e kompanive vendase “të cilat rritën prodhimin për të përmbushur nevojat e ushtrisë”.

“Kompanitë ruse kanë dërguar miliarda rubla gjatë dy viteve për të mbështetur ushtrinë ruse”, theksoi presidenti.

Më tej ai tha se në konfliktin në Ukrainë, forcat ruse përdorën dy lloje raketash hipersonike: Kinzhal, të lëshuar nga avionët dhe Zirkon, të lëshuara nga anijet.

Trupat ruse në Ukrainë nuk do të tërhiqen kurrë, thotë Putin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore