Lajme

Pushtimi i Irakut i pajustifikuar – Gafa e Bush, ngatërron ndërhyrjen në Baghdad me atë në Ukrainë


Një lapsus frojdian i ish-Presidentit të SHBA-ve, George Bush, bëri që rrjeti të shpërthejë, pasi ai deklaroi se pushtimi i Irakut ishte i pajustifikuar.

“E kam fjalën për Ukrainën”, u “shfajësua” ai duke qeshur dhe duke ia hedhur fajin moshës, pasi tashmë është 75-vjeçar.

Këtë gafë, Bush e kreu gjatë një takimi ku u fol mbi zgjedhjet, në qendrën presidenciale të Dallasit.

Aty, ai u ndal në çështjen e zgjedhjeve në Rusi, të cilat i përkufizoi si “të manipuluara”.

“Në kontrast, zgjedhjet në Rusi ishin të manipuluara. Kundërshtarët politikë janë të burgosur ose të eliminuar nga pjesëmarrja në procesin zgjedhor”, shtjelloi Bush gjatë fjalës së tij.

Më pas, erdhi edhe gafa e madhe presidenciale.

“Vendimi i një burri të vetëm për të lëshuar një sulm tërësisht të pajustifikuar dhe brutal në Irak…Doja të thoja Ukrainë”.

Kaq mjaftoi që audienca fillimisht të shtangej, e më pas të shpërthente në të qeshura.

Megjithatë, pavarësisht se e korrigjoi, disi nën zë, Bushi e pranoi se edhe vendimi për Irakun, nuk ka qenë shumë i mirë.

Por, në fund, fajin ia vendosi moshës: “Gjithsesi, jam 75 vjeç”.

Paralele janë hequr faktikisht shpesh herë nga presidenti rus, Vladimir Putin, mbi aksionin ushtarak që ai ka ndërmarrë në Ukrainë dhe ndërhyrjes që administrata Bush kreu në Irak në vitin 2003.

Ngjashmëritë në fakt janë të shumta, përtej faktit se një situatë zhvillohet në kontinentin evropian dhe tjetra në Lindjen e Mesme.

Mediat sociale shpërthyen gjithashtu në reagime, ku disa shkruanin në Twitter se Bush ishte një “kriminel lufte”, duke parë edhe përcaktimin që ai i ka bërë Putinit si i tillë.

Të tjerë, shkruan se më në fund, pas 20 vjetësh, Bushi  u rrëfye për çfarë ka bërë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore