Lajme

Pupovci për Albanian Post: Reflektimi i SBASHK-ut hap pozitiv, nxënësit humbën 11 për qind të vitit shkollor


Zëvendësministri i arsimit në Kosovë, Dukagjin Pupovci, e ka cilësuar si hap pozitiv vendimin e Këshillit Grevist të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, i cili ua ka dërguar një letër anëtarësisë për pezullim të grevës, duke iu kërkuar që mësimi të fillojë më 3 tetor dhe se greva të pezullohet deri në janar 2023.

“Deri sot nxënësit kanë humbur 11 për qind të vitit shkollor dhe të gjithë duhet të angazhohemi që sa më parë të ulen në bankat e shkollës”, tha Popovci në përgjigje me shkrim për Albanain Post.

Ai ka thënë se beson që ky propozim do të mbështetet nga mësimdhënësit dhe anëtarët e SBASHK-ut.

Ndryshe, SBASHK-u ka quajtur Qeverinë Kurti “inatçore”, pasi sipas tyre ekzekutivi nuk e ka prioritet zhvillimin e arsimit.

Letra e Këshillit Grevist të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit

“Duke parë se pas gjithë përpjekjeve tona që të kemi dialog të mirëfilltë e të gjejmë zgjidhje të kërkesave legjitime, Qeveria vazhdon qasjen e gabuar dhe pas angazhimit edhe të njerëzve me autoritet dhe ardhjes së drejtoreshës së përgjithshme të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE) që ishte zë i grevistëve dhe solli kërkesa në emër të 11 milionë kolegëve nga e tërë Evropa që të realizohen kërkesat legjitime të grevistëve, por Kurti dhe qeveria vazhdoi të dëshmoi se nuk do të zgjidhë kërkesat e grevistëve”, thuhet në letrën e SBASHK-ut.

SBASHK-u ka thënë se dyshon që “greva po i duhet Qeverisë për të mbajtur vëmendjen e opinionit drejt grevës”.

“Duke u nisur nga kjo këshilli grevist i SBASHK-ut bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022”.

Sidoqoftë mësidhënësit mbeten në grevë e nxënësit pa shkuar në shkollë sepse që nga 25 gushti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kishte marrë vendim që të hyj në grevë duke kërkuar rritje pagash prej 100 eurosh derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Çfarë do qeveria?

Qeveria do që grevistët ta ndalin grevën, por pa ua plotësuar kërkesën për rritje page, pa e procedura ligjin për pagat me procedurë të shpejtë dhe pa pranuar që të takohet me ta.

Si filloi greva?

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Vendimin e njëjtë e përforcoi ministri i Financave, Hekuran Murati në një paraqitje publike, ku kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai drejton nuk ka bërë në tërësi ekzekutimin e pagave në sektorin publik, me pretekstin se nuk ka arritur të përditësojë listat e pagave, pasi disa nga shërbyesit civil janë në grevë dhe nuk paraqiten në punë.

Pra pagat, sipas Muratit, janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuar.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Mirëpo meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk ka arritur të ndodh me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore