Kosova

Punëtoria kosovare të shfrytëzuar nga kapitali dhe të shtypur nga Qeveria, thotë PSD-ja


Foto: Ilustrim.

Partia Socialdemokrate (PSD), në ditën e 1 majit e cila njihet se dita ndërkombëtare e punëtorëve ka thënë se kjo ditë i gjenë punëtorët në Kosovë të shtypur nga Qeveria e Kosovës.

Përmes një komunikate dërguar mediave është thënë se nga pushteti s’ka as përpjekje për të diskutuar me punëtorët për plotësimin e kërkesa të tyre.

“1 maji e gjen punëtorinë kosovare të shfrytëzuar nga kapitali dhe të shtypur nga Qeveria. Përpjekja për pagën minimale na erdhi bashkë me pykën përçarëse të Qeverisë për të ndarë veteranët e punëtorët. Kjo na la pa pagë minimale, pa rregull detyrues, nën mëshirën e kapitalit”.

“1 maji e gjen Kosovën pa dialog social. Me ndryshimin e Ligjit, dialogu është zëvëndësuar në komandë të ministrit të financës, që rastësisht qëllon të jetë i djathtë. 1 Maji i gjen sindikatat e organizuara nën sulmim e Qeverisë. Kontrata Kolektive e shkëputur njëanshëm në Shëndetësi, dhe sulmi i pa precedentë ndaj SBASHK-ut, e bëjnë këtë Qeveri aleate me shfrytëzimin dhe shfrytëzuesit”, thuhet në komunikatë.

Nga PSD-ja është arsyetuar edhe mbajtja e protestave.

“Nëse dikush pyet si është e mundur që në vendet që ne i konsiderojmë me të drejta e mirëqenie protestohet larg më shumë se këtu, përgjigja është tautologji: ka të drejta e mirëqenie sepse protestohet. Solidaritet!”.

Më 1 maj, në Prishtinë është protestuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASH), ku kishin marrë pjesë edhe Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është potencuar se Qeveria e Kosovës po vazhdon t’i ik dialogut.

Kërkesë e protestuesve ka qenë që Qeveria të veprojë në mënyrë që të mos përsëritet viti 2022, kur kishte grevë disamuajshe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore