Kosova

Punëtorët e KEK-ut në grevë për rritjen e pagës


Punëtorët e Korporatës energjetike të Kosovës (KEK) këtë të hënë kanë mbajtur grevë duke kërkuar që t’u rritet para për punën që bëjnë.

Përgjatë 60 minutave punëtoret e KEK-ut të mbështetur nga Sindikata e Re Korporata Energjetike e Kosovës, nuk prekën asnjë punë me dorë, duke protestuar kështu për mos përfilljen e kërkesës së tyre për rritje page, nga menaxhmenti i tyre.

Greva do të vazhdojë përgjatë gjithë javës.

“03.04.2023 (ditë e Hënë) deri me 07.04.2023(ditë e Premte) me përjashtim të punëmarrësve që janë të kyçur drejtpërdrejtë në prodhim të blloqeve në Termocentrale”, thuhet në njoftimin për medie të Sindikatës së re të KEK-ut.

“GREVA do të mbahet- në vendet e punës dhe para dyerve(Rampave) të hyrjeve dhe daljeve”.

Punëtorët kanë paralajmëruar se kjo grevë do të ndryshoj nga e hëna e 10 prillit.

Para grevës, punëtorët e KEK-ut kishin organizuar protesta para zyrave të ndërmarrjes së tyre në Prishtinë e në sheshe.

Për të njëjtin qëllim, rritjen e pagës, në protestën e thirrur nga Sindikata e Re e KEK-ut, punëtorët protestuan më 16 mars.

Përmes pankartave ata kërkuan edhe shujta të ushqimit, pagesë për rrezikshmërinë në punë dhe respektim të vendimeve të gjykatave për punëtorët e KEK-ut.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve në KEK, Nexhat Llumnica, kishte kërkuar nga menaxhmenti  përmbushjen e kërkesave të punëtorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore