Financa

Puerto Rico-s i jepet drita jeshile për t’i dhënë fund falimentimit pesëvjeçar


Gjykatësja e Qarkut amerikan, Laura Taylor Swain, e cila mbikëqyr procesin gati 5-vjeçar të rimëkëmbjes nga borxhi i Puerto Rico-s, ka miratuar një plan rregullimi.

Nëpërmjet tij synohet të rigjallërohet ekonomia e Komonwealth-it dhe të reduktohen detyrimet prej 135 miliardë dollarësh.

Laura Taylor Swain miratoi planin të martën, duke u dhënë fund proceseve gjyqësore mbi gjendjen financiare të Puerto Rico-s të gati gjysmë dekade dhe shënuar kështu një moment historik për rimëkëmbjen më të madhe të borxhit bashkiak të SHBA-ve.

Puerto Rico paraqiti kërkesë për mbrojtje, sipas një ligji të ngjashëm me falimentimin, i njohur si Titulli III, në maj 2017.

Detyrimet e tij prej 135 miliardë dollarësh përfshinin më shumë se 55 miliardë dollarë detyrime pensioni të pafinancuara.

Plani i rregullimit të borxhit, i propozuar nga një bord mbikëqyrës financiar, përfshin shlyerjet midis një sërë kreditorësh dhe synon të inkurajojë investime të reja për të ndihmuar ekonominë e ishullit.

Laura Taylor Swain

Plani, sipas bordit, redukton 33 miliardë dollarë borxhin e obligacioneve në 7 miliardë dollarë dhe ul borxhin e përgjithshëm me 80%.

Swain vuri në dukje se plani ka “mbështetje të gjerë, por jo universale”, pasi shumë punonjës publikë dhe pensionistë kundërshtojnë disa aspekte.

Bordi mbikëqyrës ka thënë se, sipas planit, pensionistët e qeverisë janë ende në radhë për të marrë pensionet e tyre të plota në nivelet e tyre aktuale.

Plani ngrin programet e pensionit me përfitime të përcaktuara që mbulojnë mësuesit dhe gjyqtarët aktivë, duke i zëvendësuar me plane kontributesh të përcaktuara dhe regjistrim në sigurimet shoqërore.

Në një deklaratë bordi tha se e përshëndeti vendimin e Swain-it, por se Kommonwealth “duhet të vazhdojë ta reformojë veten për të siguruar një të ardhme të begatë”.

Puerto Rico grumbulloi nivele të paqëndrueshme borxhi në vitet që çuan në 2017.

Në vitin 2016, qeveria federale miratoi Aktin e Mbikëqyrjes, Menaxhimit dhe Stabilitetit Ekonomik të Puerto Rico-s, i cili krijoi një proces për territorin për të ristrukturuar borxhin e tij.

Problemet e Kommonwealth-it arritën nivele të reja vetëm disa muaj pasi u paraqit për mbrojtjen e Titullit III, ndërsa Uragani Maria shkatërroi ishullin, duke vrarë rreth 3 mijë njerëz.

Në vitin 2019, guvernatori i saj dha dorëheqjen mes protestave për një skandal që përfshin mesazhet fyese të bisedave dhe korrupsionin qeveritar që tronditi ishullin.

Plani i rregullimit të borxhit pritet të hyjë në fuqi deri më 15 mars.

Bordi mbikëqyrës do të punojë, derisa Puerto Rico-s të ketë katër vite radhazi buxhete të balancuara.

Drejtoresha ekzekutive e bordit, Natalie Jaresko, të martën tha se me planin e miratuar, ajo pret një “rritje të konsiderueshme” në shpenzimet e qeverisë për shërbimet publike.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore