Shqipëria

Publikohet raporti i FMN-së: Të reduktohen shpenzimet me efikasitet të ulët – mbështetje fiskale për ata që kanë nevojë


Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka publikuar të martën e 7 dhjetorit, raportin ekonomik për Shqipërinë duke theksuar se shpenzimet me efikasitet të ulët duhet të reduktohen dhe mbështetja fiskale duhet të jetë më e mirë për ata që kanë më shumë nevojë.

FMN-ja është institucion financiar ndërkombëtar me seli në Washington.

Fillimisht, raporti sjell në vëmendje goditjen e dyfishtë të Shqipërisë – tërmeti i nëntorit 2019 dhe COVID-19.

Gjithsesi, FMN-ja, vëren se tkurrja ekonomike në vitin 2020 ishte më e vogël se sa pritej fillimisht.

PBB-ja reale, sipas saj, po rimëkëmbet fuqishëm me 7.8 përqind të parashikuar në 2021.

Kjo, e nxitur nga vazhdimi i mbështetjes së politikës monetare dhe fiskale, rindërtimit, reduktimit të kufizimeve të lëvizjes apo prodhimi i fortë i energjisë elektrike.

Ndër të tjera, raporti përmend edhe sezonin relativisht të mirë turistik.

Të dhëna ekonomike

Sa i takon inflacionit total, FMN-ja pohon se është rritur për shkak të rritjes së ushqimeve dhe çmimit të energjisë.

Fondi ravijëzon se inflacioni bazë është rritur në mënyrë modeste, ndërsa presionet inflacioniste janë zbutur.

Referuar të dhënave të FMN-së, deficiti fiskal u zgjerua ndjeshëm në 6.8 për qind të PBB-së në vitin 2020. Ai pritet të mbetet në të njëjtat nivele edhe në vitin 2021.

Më tej, borxhi publik u rrit në 77.2 për qind të PBB-së në fund të vitit 2020.

Institucioni financiar pret që borxhi publik në Shqipëri të rritet më tej në vitin 2021.

“Sistemi financiar ka qenë i qëndrueshëm dhe flukset likuide dhe kreditore kanë vazhduar të mbështesin ekonominë”, vijon raporti.

Parashikimet

Nga viti 2022 e në vijim, FMN-ja parashikon që aktiviteti ekonomik pritet të mbetet i fortë.

Kjo, pasi ndikimi i pandemisë do të bjerë dhe do të rimëkëmbet turizmi ndërkombëtar.

Raporti cilëson se rritja do të zbutet me heqjen graduale të mbështetjes fiskale dhe rindërtimit.

Në periudhën afatmesme, rritja parashikohet të konvergojë në potencialin e saj prej 3.4 përqind.

Ky nivel, sipas fondit, mbetet mbrapa për shkak të faktorëve negativë demografikë.

Pasi rritjet e përkohshme të inflacionit të zbuten nga mesi i vitit 2022, ai pritet të vendoset në objektivin 3 për qind të Bankës së Shqipërisë.

Borxhi i përgjithshëm i qeverisë shqiptare parashikohet të bjerë gradualisht. Nga një kulm prej rreth 81 për qind të PBB-së në vitin 2021 pritet të qëndrojë në 74 për qind të PBB-së në vitin 2026.

Duke sjellë në vëmendje rezistencën e varianteve të reja ndaj vaksinave, FMN-ja nënvizon se pasiguria mbi perspektivën ekonomike mbetet e lartë.

Vlerësimi i Bordit

Drejtorët ekzekutivë vlerësuan qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare pas tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë COVID-19.

Qëndrueshmëria, sipas tyre, erdhi pas mbështetjes nga politika të forta të brendshme dhe të jashtme.

Drejtuesit u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare për të rindërtuar mbulesat e politikave, për të mbrojtur stabilitetin financiar dhe për të adresuar pengesat strukturore.

Kjo do të zhbllokonte rritjen e vendit dhe zhvillimin e saj potencial.

Drejtuesit theksuan më tej rëndësinë e forcimit të cilësisë dhe transparencës së shpenzimeve publike.

“Adresimi i mangësive në menaxhimin e investimeve publike do të jetë i rëndësishëm”, shton më tej Bordi.

Drejtorët e FMN-së vunë re ndërkaq se sektori financiar mbetet i qëndrueshëm dhe likuid.

Ata bënë thirrje edhe për përfundimin e reformave në drejtësi dhe përpjekjeve të vazhdueshme për daljen nga lista gri e Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF).

Në përmbyllje, Bordi Ekzekutiv i FMN-së ranë dakord se kapaciteti i Shqipërisë për të shlyer fondin është i mjaftueshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore