Lajme

Publikohet draft-statuti “evropian” me të cilin është pajtuar qeveria, është pothuajse identik me statutin e propozuar nga Edi Rama


Draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që është publikuar nga Ish-inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, e i cili, sipas tij, është ai zyrtari që Kosova e ka pranuar, do të përmbajë 45 nene dhe do të ndahet në shtatë kapituj.

Ky draft është në mbi 90 për qind i njëjtë më atë që e kishte propozuar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili u bë publik para disa ditëve.

Lexo edhe këtë: Ekskluzive: Shpjegimi i ekspertëve hartues të draft-Statutit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe – pikat kryesore, puna juridike, dokumentet e shqyrtuara dhe Kushtetuta e Kosovës

Sipas këtij drafti të publikuar nga Ramadani, selia e Asociacionit do të jetë në Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – “përpos nëse komunat anëtare vendosin ndryshe pastaj”.

Aty thuhet se Asociacioni, i themeluar me këtë Statut, ofron një kornizë vetë-menaxhuese për komunitetin serb të Kosovës brenda nivelit ekzistues komunal të vetëqeverisjes lokale dhe nuk do të fitojë kompetenca ekzekutive shtesë në krahasim me komunat anëtare të saj.

Korniza, theksohet aty, përfshin mbështetjen e ofrimit të shërbimeve të koordinuara në fusha specifike, me mundësinë për mbështetje financiare nga Serbia dhe një kanal efektiv komunikimi i drejtpërdrejtë për komunitetit serb të Kosovës në Qeverinë e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Sa i përket mbështetjes financiare ose tjetër e marrë nga Asociacioni, në bazë të këtij drafti, “do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes dhe auditimit të Autoriteteve Qendrore siç përcaktohet në këtë Statut dhe ligjin në fuqi”.

Sipas këtij drafti, Asociacioni do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore, “të cilat janë të financuara drejtpërdrejt nga Serbia, në përputhje me procedurat specifike të përcaktuara në këtë Statut dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

“‘Rrjeti Arsimor Serb i Kosovës’ dhe ‘Rrjeti Shëndetësor Serb i Kosovës’ do të themelohen si ofrues privatë të arsimit dhe shëndetësisë nën përgjegjësinë e Asociacionit, duke theksuar Serbinë si kontribuuesi financiar, si dhe zyrat kryesore të këtyre ofruesve të vendosur aktualisht në Serbi”, thuhet aty.

Menaxhimin e funksionimit të këtyre ofertuesve të arsimit dhe shëndetësisë, siç parasheh drafti i publikuar nga ish-inspektori i AKI-së, do ta menaxhojë Asociacioni.

“Këto shërbime të lirohen nga doganat dhe të gjitha detyrimet tjera për aq kohë sa ofrojnë shërbime në interes publik dhe në përputhje me këtë Statut”.

Tutje, ky mekanizëm do të krijojë simbolet e veta zyrtare: flamurin dhe një stemë, ndërsa thuhet se vetëm simbolet zyrtare të Asociacionit, së bashku me simbolet shtetërore të Kosovës do të përdoren nga Asociacioni, në përputhje me Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore.

Në përputhje me ligjin në fuqi, theksohet në këtë draft, Asociacioni do të ketë të drejtë të bashkëpunojë, brenda fushave të kompetencave të anëtarëve të vet, me komunat dhe institucionet, “duke përfshirë agjencitë qeveritare në Serbi”.

Sa i përket autoriteteve qendrore të Asociacionit, janë Kryetari, Kuvendi, Qeveria dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, ndërsa organi suprem i këtij mekanizmi do të jetë Kuvendi.

Aty parashihet se Asociacioni mund të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me asociacione të tjera vendore dhe ndërkombëtare të komunave, autoriteteve lokale, rajoneve dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes lokale në shtetet tjera.

Ky Asociacion, në bazë të këtij drafti, do të angazhohet në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb të Kosovës, dhe se për të lehtësuar ushtrimin e këtyre kompetencave, organet e këtij mekanizmi kanë të drejtë të miratojnë rregullore, vendime, deklarata, rregulloren e punës dhe udhëzime.

Sa i përket shëndetësisë dhe kujdesit social, Asociacioni do të ushtrojë funksione dhe mbikëqyrje të plotë (rregullon, organizon, koordinon dhe kryen punët) në kuadër të kompetencave të saj komunale që kanë të bëjnë me përmirësimin lokal të shëndetit primar dhe sekondar dhe kujdesin social.

“Asociacioni do të financojë dhe lehtësojë ngritjen e kapaciteteve dhe trajnimit profesional të personelit mjekësor dhe të mirëqenies sociale të anëtarëve të tij. Asociacioni do të financojë projektet e ndërtimit dhe infrastrukturës në lidhje me ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies sociale”.

“Asociacioni do të financojë banesa sociale në komunat anëtare. Asociacioni do të financojë ose mbledh fonde për mbështetjen e mirëqenies sociale të banorëve të komunave anëtare të saj. Asociacioni do të financojë blerjen e pajisjeve të specializuara mjekësore siç mund të jetë e nevojshme nga komunat anëtare dhe ‘Rrjeti serb i kujdesit shëndetësor’”, thuhet në këtë draft.

Po ashtu, aty theksohet se ky mekanizëm, përmes një komisioni të përbashkët me Autoritetet Qendrore, “do të lehtësojë pagesën e ndihmës financiare të mirëqenies sociale nga Serbia për përfituesit që banojnë në komunat anëtare”.

Ndërsa, te zhvillimi ekonomik, Asociacioni do të përfaqësojë interesat e anëtarëve dhe aktorëve ekonomikë të vendosur brenda kufirit administrativ të Asociacionit në marrëdhëniet me autoritetet qendrore, “si dhe me operatorët e tjerë shtetërorë dhe ekonomikë në rajon dhe më gjerë, duke përfshirë ato nga Serbia”.

Ky draft-statut flet edhe për të kthyerit në Kosovë, ku thuhet se Asociacioni “do të miratojë masa për të mbështetur kthimin e qëndrueshëm të personave të zhvendosur dhe refugjatëve në Kosovë”.

Asociacioni, ndër të tjera, edhe do të bashkëfinancojë programe të integrimit social-ekonomik për të kthyerit nëpërmjet anëtarëve. Po ashtu, Asociacioni do t’i ofrojë këshilla dhe mbështetje për komunat jo-anëtare në lidhje me politikat dhe masat e tyre lidhur me kthimin.

Një nga pikat tjera të këtij draft statuti thotë se Asociacioni do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat në përmbushjen e objektivave të saj, në të njëjtën bazë si komunat anëtare.

Ky Asociacion do të ketë një Komision të Ndërmjetësimi, që do të përbëhet nga tre përfaqësues: një nga Institucionet Qendrore, një nga Asociacioni dhe kryesuesi me pajtueshmëri.

Nëse nuk ka pajtueshmëri për Kryesuesin, atëherë kryesuesi i Komisionit të Ndërmjetësimit emërohet nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa, tek Drejtori Rajonal i Policisë në Rajonin e Mitrovicës së Veriut, katër kryetarët e komunave Veriore do t’i ofrojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme listën e kandidatëve për emërim.

Po ashtu, Asociacioni do të mund t’i këshillojë anëtarët e vet që të kundërshtojnë kushtetutshmërinë e ligjeve ose akteve të Qeverisë nëse ka pretendime të tilla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore