Sport

PSG, Leonardo mohon zërat: Asnjë kontakt me Zidane, Pochettino nuk kërkoi të largohej


Drejtori sportiv i francezëve të PSG-së, Leonardo, ka hedhur poshtë lajmet mbi një afrim të mundshëm të Zinedine Zidane në krye të stolit parizien.

Mediat e ndryshme sportive në Evropë pohojnë se Mauricio Pochettino e ka tepër të vështirë për të trajnuar tre super yjet e sulmit të PSG-së, Neymar-in, Lionel Messi-n dhe Kylian Mbappe-n.

Ndaj, sipas këtyre mediave, ish-trajneri i Real Madrid-it, Zidane, do e kishte më të lehtë për të përballuar lojtarët që ka në përbërje klubi kryeqytetas. Kjo për shkak të eksperiencës së madhe që ka fituar te “galaktikët”.

“Kam shumë respekt, por nuk e kam parë apo kontaktuar Zidane-n”, tha Leonardo, duke shtuar se “Pochettino do të qëndrojë në krye”.

“Ne nuk duam që ai (Pochettino) të largohet dhe ai nuk na e ka kërkuar të largohet”, shtoi braziliani.

Ditët e fundit në media, kalimi i Zidane te PSG-ja dhe Pochettino-s te Manchester United-i mori vëmendjen kryesore, pas shkarkimit të Ole Gunnar Solskjaer-it nga “Djajt e kuq”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore