Kosova

Pse (s’)e shkeli kushtetutën Osmani kur shkarkoi Dakën?


Presidentja Vjosa Osmani, të hënën, shkarkoi kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka. Para se të zyrtarizohej vendimi, Albanian Post raportoi për një ofertë të çuditshme që Osmani i kishte bërë Dakës – të cilës po të tërhiqej, do t’i jepej një mirënjohje.

Pra, presidentja Osmani i kishte kërkuar dorëheqjen Dakës, me arsyetimin e “tensionimit të mbledhjeve, nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje”, gjë të cilën kryetarja e shkarkuar e KQZ-së nuk e ka pranuar, duke theksuar se kërkesa vinte “nga vetëm një subjekt politik”.

Vetëm pak orë pas shkarkimit të Dakës, presidentja emëron në pozitën e kryetarit të KQZ-së gjyqtarin Kreshnik Radoniqi, veprim që u përcoll me kritika dhe kundërshtime të menjëhershme nga shoqëria civile – një pjesë e së cilës e quan “jokushtetues” vendimin e Osmanit.

Kështu e vlerëson vendimin e presidentes edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani. Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, ai e ka cilësuar shkarkimin e Dakës si mesazh frikësimi për organet e tjera të pavarura, derisa i ka përmendur disa arsye pse është ky vendim jo legjitim.

“Kjo është shkelje e pastër kushtetuese dhe atë për disa arsye. Në rend të parë, Presidenti i Republikës në asnjë vend që ka demokraci kushtetuese parlamentare me sistem republikan nuk mund të shkarkojë krye në veti asnjërin prej anëtarëve të organit që organizon dhe përgatitë mbajtjen e zgjedhjeve”.

Mirëpo, për ish-kryeshefin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, vendimi i presidentes është krejtësisht legjitim dhe i mbështetur mirë në dokumentin themeltar juridik të vendit.

“Ky shkarkim nuk konsiderohet shkelje kushtetuese për arsye se vendimi është edhe legal edhe legjitim, për arsye se mbështetet në dispozitat e nenit 84 pika 26 me Kushtetutën dhe me nenin 61 pika pesë e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme ku ka bazën e shkarkimit gjegjësisht ndërprerjen e mandatit nga ana e presidentes”, thotë ai.

Baraliu më tutje nënvizon se meqë presidenti, sipas kushtetutës, ka të drejtë ta emërojë, edhe në rastet kur nuk përmendet shkarkimi “është parim logjik dhe kushtetues që ai që emëron për një detyrë, ai edhe shkarkon”.

Rrjedhimisht, sipas profesorit Baraliu, vendimi i presidentes Osmani “ka bazë dhe arsyeshmëri” të mjaftueshme dhe është në pajtueshmëri të plotë me kushtetutën.

Presidenti është zbatues i kushtetutës dhe jo organ ligj-zbatues, thotë Hasani, që përdor të njëjtin argument si Baraliu, për të shpjeguar, sipas tij, pse është i pabazë vendimi që ka marrë Osmani.

“Presidenti duhet të konsultohet vetëm në rastet kur autoritetet në fjalë propozojnë ndërprerjen e mandatit, asnjëherë duke iu prirë me vlerësimet e veta autoriteteve emëruese (në këtë rast Gjykata Supreme si autoritet emërues i zonjës Valdete Daka)”.

Ish-kryetari i Kushtetueses, nënvizon se për shkak të natyrës së rregullimit kushtetues të Kosovës, vendimmarja duhet të jetë pjesë e një procesi që kalon disa hallka.

“Çdo emërim dhe shkarkim (secilin dekretim) e bën si pjesë e një vendimmarrje zinxhirore. Kështu është edhe më KQZ (që në vendet tjera ka emërtime të ndryshme, por funksioni është tërësisht i njëjtë me KQZ në vendin tonë)”.

Hasani po ashtu ka vlerësuar lart Dakën, duke e quajtur “profesioniste që për autoritet zgjedhës e ka organin më të lartë në gjyqësorin kosovar”, pra instancën e apelit.

Megjithëse e vlerëson të drejtë vendimin e Osmanit, Mazllum Baraliu, në një intervistë të shkurtër për Albanian Post, ka thënë se po që se deputetët apo ndonjë subjekt konsideron që ka bazë, mund ta sfidojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese – pa çka se vet e vlerëson të vogël mundësinë që Kushtetuesja të vendosë ndryshe.

“Mund të shkojë në këtë rast mirëpo mendoj se nuk ka bazë të mirëfilltë për të shkuar në Gjykatë Kushtetuese për arsye se pa marrë parasysh pakënaqësitë apo mos pajtimet e ndryshme lidhur me këtë, vendimi ka bazë edhe kushtetues edhe legjitimitet”, përfundon ai.

Vendimin për shkarkimin e Dakës e ka bërë publik Zyra për Media e Presidencës në të cilin thuhet se “Znj. Valdete Dakës i ndërpritet mandati si Kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës dhe se vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit”.

Në anën tjetër, Valdete Daka në një konferencë për media, vendimin e presidentes së vendit e ka quajtur si “jokushtetues dhe qesharak”.

Sipas saj, ky vendim nuk ka kurrfarë baze ligjore apo kushtetuese, përmban në vetvete kundërthënie, prandaj është edhe joserioz.

“Tashmë të gjithë e dini se Presidentja Osmani, ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë gjatë fushatës së fundit zgjedhore për shkarkimin tim. Ky është një vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj”, ka deklaruar Daka.

“Këtë e them duke u mbështetur në faktet se arsyetimi për shkarkimin tim jo vetëm që është i paligjshëm, kontradiktor me veten, por edhe qesharak”, është shprehur ajo.

Për Dakën kjo sjellje nga ana e presidentes ishte e papranueshme, derisa sqaroi se Osmanit i ka thënë se e ka përmbushur detyrën “me identitet të lartë profesional dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore