Lajme

Pse po vazhdon Pekini me politikën zero-COVID?


“Optimizoni dhe rregulloni politikën zero-COVID për të reduktuar ndikimin në rritjen ekonomike dhe jetën e qytetarëve”.

Kjo është direktiva që Byroja Politike e presidentit Xi Jinping u dha autoriteteve shëndetësore kineze më 11 nëntor.

Dy javë pas lehtësimit të tolerancës zero për qarkullimin e virusit, kufizimet vlerësohet të rëndojnë në të paktën 48 qytete kineze me vlerë një të pestën e PBB-së.

Bllokimet kanë zbrazur rrugët, shkollat ​​dhe zyrat nga Chongqing, në Guangzhou, deri në Pekin.

Këtë të enjte në Kinë janë regjistruar 31 mijë e 444 raste të reja. Numri i infektimeve është më i larti që nga shpërthimi i epidemisë, e cila më vonë u shndërrua në një pandemi në janar 2020.

Por është ende shumë i ulët krahasuar me një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh.

Po pse Kina po jeton ende në epokën e bllokimeve?

Qeveria kineze është duke u kapur pas linjës zero-COVID, e cila synon të izolojë çdo infektim dhe të eliminojë virusin nga territori kombëtar.

Por pjesa tjetër e botës është fokusuar prej muajsh në fushatat masive të vaksinimit dhe në imunitetin e fituar nga popullata në këto tre vite të pandemisë.

Këta elementë reduktojnë numrin e infektimeve dhe ulin shkallën e sëmundjeve serioze ose fatale.

Kurse në Kinë, dyshimet janë të shtuara për fushatën e vaksinimit.

92 për qind e qytetarëve kanë marrë të paktën një dozë, por në grupin më të rrezikuar, mbi të 80-at, përqindja bie në jo më shumë se 30 për qind.

Përveç kësaj, ilaçet e industrisë kineze u zbuluan se ishin më pak efektive se ato të Perëndimit.

Sipas epidemiologëve, nëse do të kishte një valë të vërtetë të COVID-it në Kinë, të paktën gjashtë milionë njerëz të infektuar do të kishin nevojë për shtrimin në spital në kujdesin intensiv.

Kina duket se është në një gjendje konfuzioni, e paaftë për të gjetur një strategji daljeje nga ëndrra për të zeruar infektimet.

Kjo e fundit po rezulton të jetë një makth.

Madje, sipas ekonomistëve, duhet të pritet një ndikim global i ngadalësimit kinez.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore