Film

Pse nuk u mbështet “Ballkan Bordello” nga MKRS?


QM/MKRS

Qendra Multimedia në Prishtinë të enjten e 15 korrikut kishte lëshuar një letër publike drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me të cilën shprehu indinjatën ndaj përzgjedhjes së projekteve që do të financohen nga Ministria, gjë që ata ndjenë se qe e padrejtë, si pasojë e mos përfshirjes së projektit të tyre teatror ndërkombëtar “Ballkan Bordello”, i cili njëherit është bashkëpunimi i vetëm ndërkombëtar për vitin 2021.

Në letrën e publikuar nga QM thuhet se ata kanë dërguar ankesë në drejtim të MKRS-së duke shpresuar se gabimi i mospërfshirjes së Ballkan Bordello-s në listën preliminare të projekteve të mbështetura do të korigjohej.

“E shfrytëzuam hapësirën ligjore dhe u ankuam në adresë të MKRS-së, duke shpresuar që gabimin do ta korrigjojnë. Madje duke qenë të vetëdijshëm se ata mund të kapeshin për ‘kritereve ligjore e administrative’, ne në letrën tonë, u dhamë shembuj se ata në listën e publikuar preliminare të projekteve të mbështetura, nuk kishin qenë strikt në përfilljen e këtyre kritereve ‘ligjore e administrative”, shkroi Qendra Multimedia.

Tutje kjo organizatë kulturore pas këtij vendimi për mos ta përfshirë projektin e vetëm ndërkombëtar nga ana e Ministrisë e sheh si dëshmi se kjo ministri s’ka ndryshuar fare sa i përket mënyrës se si po punon.

“Ajo Ministri vazhdon të prodhojë politika kulturore krahinore e lokaliste, politika të akraballëkut (që ndonjëherë peshojnë deri edhe 15,000 euro) dhe se kriteret e deri-djeshme për njohje politike – si parakusht për qasje në fondet publike, vazhdojnë të jenë kritere edhe të sotme”, thuhet ndër të tjera në letrën e hapur.

Albanian Post ka kontaktuar MKRS-në për të marrë përgjigje në lidhje me shpjegimin publik që ka bërë QM-ja.

Zana Fetiu, Zëdhënëse për Media në MKRS në një përgjigje me shkrim për Albanian Post tha se projektet e Qendrës Multimediale kanë qenë në kundërshtim me thirrjen publike.

“Qendra Multimedia ka aplikuar me dy projekte, Festivali Polip dhe Bordel Ballkan, gjë që ka qenë në kundërshtim me kriteret e Thirrjes publike të përpiluar në përputhje me Rregulloren 04/2017 të MF për infancimin e OJQ-ve. Të dy projektet kanë qenë për shqyrtim në komisionin e njëjtë vlerësues, meqë kanë qenë nga fusha e diplomacisë kulturore.”

Ndër të tjera në përgjigjen e ministrisë për AP u tha se njëri projekt nga Qendra Multimedia është përkrahur kurse tjetri jo.

“Komisioni vlerësues gjatë shqyrtimit ka vendosur që Festivali Polip i Multimedias të përkrahet, ndërsa projekti Bordel Ballkan përveç që nuk e ka kaluar vlerësimin administrativ në mungesë të dokumentacionit të nevojshëm, ka pasur edhe konflikt të hapur të interesit, meqë menaxher i projektit ka qene i paraparë Arif Muharremi, i cili njëkohësisht ka qene anëtar i komisionit vlerësues për shqyrtim të këtyre projekteve”.

“Arif Muharremi ka qene anëtar i komisionit vlerësues nga OJQ, i nominuar gjatë aplikimit po nga Qendra Multimedia”.

Projekti i përkrahur i QM-së nga MKRS-ja ishte festivali Polip – Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë në Prishtinë – me 5 mijë euro, gjë që ka prodhuar reagim nga QM-ja, dhe i kanë kthyer paratë mbrapsht me përgjigjen “5 mijë euro! Jo faleminderit, po ua kthejmë mbrapsht me neveri!”

Për Ballkan Bordellon, QM-ja shkroi se “Duhet ta nënvizojmë: ky është bashkëprodhimi i vetëm teatror ndërkombëtar për vitin 2021. Pra, edhe një herë: i vetmi bashkëprodhim ndërkombëtar në fushën e teatrit. Bashkëprodhim i Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe La MaMa-s nga Nju Jorku, që është njëri prej teatrove më të njohur në botë”.

Qendra Multimedia është shprehur se 5 mijë eurot e ndara për festivalin Polip, ministria le t’i merr e t’ia shtoj shumës enorme të ndarë për Bienalen e Manifestës të cilës ia ka ndor plot 700 mijë euro dhe “me këtë ‘donacion’ tonin, le t’i bëhen 705 mijë.”

Për këtë shumë enorme ndarë Bienales së Manifestës, Qendra Multiamedia e ka një shqetësim.

“Ne konsiderojmë që barra për të siguruar infrastrukturë e mbështetje financiare për një ngjarje të përmasave të Manifesta-s duhet të bie mbi nivelin qendror të qeverisjes, duke marrë parasysh edhe karakterin nacional të shtrirjes së Manifestas. MKRS-ja, me buxhet që i copëtohet secilin vit, nuk e ka lluksin të mbështesë Manifestan me 700 mijë euro, sidomos kur ato i minusohen buxhetit të dedikuar për subvencione për skenën e pavarur të kulturës dhe artistët individualë në vend”.

Kritika e QM-së ndaj kësaj thirret në atë se s’mund të ketë këso financimesh marramendëse si Manifesta-s duke pasur parasysh se në Kosovoë nuk ka “skenë solide vendore kulturore” që të ketë ngjarje botërore kulturore.

“Kurrfarë përgjigje  nuk ka pasur MKRS-ja ndaj sfidave që i ka vënë në pah e i ka dyfishuar emergjenca shëndetësore me COVID-19 në skenën kulturore. Pra, në një situatë normale është skandaloze të mbështetet Manifesta e nga kjo mbështetje të pësojnë organizatat e skenës së pavarur kulturore vendore dhe artistët individualë, e lëre më në situatën ku s’ka pasur kurrfarë përgjigje institucionale për problemet e shpërfaqura si pasojë e pandemisë”, thuhet në përgjigjen e QM-së.

MKRS-ja arsyeton vendimin e mosprëfshirjes së “Ballkan Bordelo”-s si shkas i mungesës së dëshmisë së regjistrimit si OJQ dhe vërtetimin e ATK-së.

Dhe se “kjo nënkupton se Qendra Multimedia me  “Shfaqjen Bordel Ballkan” nuk ka mundur ta kalojë vlerësimin administrativ, por edhe pasi që kemi të bëjmë me konflikt interesi si dhe mungesë dokumentacioni në vleresimin administrative dhe e njëjta OJQ është përfituese po në të njejten Thirrje me Festivalin ndërkombetar i letërsisë polip 2021, shuma e perkrahjes 5 mij뀔.

“Prandaj duke pasur parasysh Udhëzimin për Aplikantët Pika Nr. 2 Kushtet Formale të Thirrjes Publike dhe pika  2.1 sqaron se: OJQ-të mund të aplikojnë vetëm me një (1) projekt në kuadër të kësaj ftese publike”, shkruan justifikimin e MKRS-ja.

Megjithatë QM-ja është shprehur bashkëpunuese përkundër faktit se “procesi i ndarjes së subvencioneve ka qenë gjithmonë mollë sherri mes MKRS-së dhe organizatave të skenës së pavarur kulturore dhe artistëve individualë. Për arsye se si proces është i dizajnuar ashtu që më shumë u shkakton barriera aplikuesve sesa lehtësime”.

“Ne, ashtu si të gjithë operatorët kulturorë në vend të shpresojmë të fillojnë sa më parë reforma në shumë nivele brenda MKRS-së dhe natyrisht, mendoj që edhe këtu flas për të gjithë operatorët kulturorë në vend, që në parim ne kemi vullnet që të bëhemi pjesë e këtyre ndryshimeve duke ofruar ekspertizën tonë si organizatë kulturore me përvojë goxha të gjatë, në vend se të antagonizohemi”.

Si përfundim Qendra Multimedia u shpreh se antagonizmi ndërmjet organizatave të skenës së pavarur të kulturës dhe artistëve individual me MKRS-në ‘dhe sidomos arroganca institucionale, nuk i shërben asnjërës palë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore