Shqipëria

Pse nuk bie çmimi i naftës në Shqipëri?


Janë hasur rënie të herëpashershme të çmimit të naftës në tregun global.

Por, në tregun shqiptar, kjo rënie nuk është reflektuar mjaftueshëm. Më saktë, ritmet janë tejet të avashta.

Për ekspertin e ekonomisë, Pano Soko, pretendimet e bordit mbi këtë fakt, bazohen në idenë se është rritur kostoja e transportit.

“Pretendimet e bordit janë që është rritur kostoja e transportit për shkak se nuk gjendet produkt në rafineritë afër Shqipërisë”, thotë ai për Albanian Post.

Dhe se kjo ka anuluar uljen e çmimit në bursë.

“Gjithsesi kjo duhet verifikuar, pasi në këto momente ka shumë vend për spekulim”, ravijëzon Soko.

Kjo situatë konsiderohet si shqetësim edhe për pedagogun e shkencave ekonomike, Leons Hasani.

Paçka efekteve të ardhura nga faktorë të jashtëm, si lufta në Ukrainë, ai gjykon se edhe faktorët e brendshëm kanë ndikim.

Të tilla si performanca e shtetit me financat publike, politikat fiskale dhe performanca e bizneseve që kanë në menaxhim burimet natyrore.

Për të, një nga problemet që mbetet prej kohësh është menaxhimi i burimeve natyrore me eficencë dhe shpërndarja e drejtë e tyre te qytetarët.

“Çka po ndodh me burimet natyrore të vendit tonë dhe kompanitë shfrytëzuese të këtyre burimeve, bie ndesh me parimin e mësipërm”, tregon ai për “Albanian Post”.

Hasani thekson se nafta është një prej pasurive nëntokësore me bollëk në Shqipëri.

“Është një burim natyror që ka filluar të shfrytëzohet që në Luftën e Parë Botërore nga italianët, e më pas nga shteti komunist dhe sot nga kompania kineze Bankers Petroleum”, thotë ai.

Edhe pse kompania kineze Bankers Petroleum shfrytëzon një burim të rëndësishëm natyror, “nuk i paguan buxhetit të shtetit as edhe një cent sepse deklaron gjithmonë fitim zero, e bazuar kjo në kostot e mëdha të transportit dhe cilësinë e dobët të naftës”.

Referuar Hasanit, vazhdon keqmenaxhimi paçka se buxhetit të shtetit i nevojiten para për të amortizuar çmimin e larte te naftës në treg.

“Vazhdon të krijojë ndotje të jashtëzakonshme mjedisore në zonat ku kryen veprimtarinë, si edhe të sjellë një dëm ekonomik të vlerësuar në miliona dollarë për qytetarët dhe vendin”, vijon ai.

Meqë kjo situatë vazhdon, Hasani beson se është momenti që institucionet ligjzbatuese të vihen në lëvizje.

E gjitha për të mbrojtur pasuritë dhe burimet natyrore nga “abuzimi dhe vjedhja”.

Ai e sheh me dyshim edhe firmosje e një marrëveshjeje të re 5-vjeëare me kompaninë kineze.

Ndaj, “qeverisë i lind detyra të njihet me pasojat e firmosjes së kësaj kontrate duke u konsultuar me qytetarët, ekspertët dhe grupet e interesit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore