Sport

Pse mund t’i refuzojë PSG-ja 220 milionë euro?


“Mbappe dëshiron të luajë për Real Madrid-in. Ne nuk mbajmë asnjë futbollist kundër dëshirës së tij, por ai do të largohet me kushtet tona”.

“Kylian do të largohet nëse një ofertë mbi 180 milionë që kemi paguar për të arrin”.

Këto ishin fjalët e drejtorit sportiv të PSG-së, Leonardo, kur u pyet për një largim të mundshëm të yllit të skuadrës, Kylian Mbappe, në drejtim të Real Madrid-it.

Të martën e 31 gushtit, në mbrëmje, u mbyll merkato, dhe transferimi nuk ndodhi.

Real Madrid-i i ofroi 220 milionë euro, PSG refuzoi ofertën, Leonardo nuk e mbajti fjalën, Mbappe refuzoi edhe një tjetër ofertë për rinovimin.

Të gjitha këto të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, kërkojnë shpjegim.

Si mund t’i ofrojë Real Madrid-i 220 milionë euro në kohë pandemie? Si mund t’i refuzojë Paris-i ato? Pse Mbappe nuk do rrogën më stratosferike në histori të futbollit?

Për të parën, përgjigjja nuk është aq e komplikuar.

Real Madrid-i njihet si një klub që përfiton shumë nga sponsorët, reklamat, kontratat multimilionëshe, të drejtat televizive dhe tavani i pagave që ka në skuadër.

Shtuar këtyre, madrilenët nuk kanë shpenzuar asnjë cent në dy vite, duke qenë ekipi i vetëm sportiv në botë, që në kohë pandemie, profitin e ka patur pozitiv.

Madrilenët ishin përgatitur nga koka deri te këmbët për të sjellë këtë vit Mbappe-n te Real Madrid-i.

Madje, sipas raportimit të agjentëve afër klubit, edhe po të paguanin 300 milionë, ata do të ishin brenda çdo limiti të rregullores së fair-play.

Gjithsesi, transferimi nuk ndodhi, dhe PSG humbi 220 milionë euro, për një futbollist, që më 1 janar të vitit 2022, mund të nënshkruajë me madrilenët thjesht për zero euro.

Pse ka të drejtën Paris-i ta bëjë këtë, e në anën tjetër të shpenzojë miliona për blerje të reja e paga stratosferike?

Superliga.

Në muajin prill, 12 skuadra u bashkuan në tentativë për të formuar një ligë të re futbollistike.

Në mesin e 12 skuadrave elitare, nuk bënte pjesë Paris Saint-Germain, që ishte gjatë gjithë kohës në krahun e UEFA-s dhe FIFA-s, duke e pamundësuar kalimin e këtij projekti.

Superliga pas dy ditëve u “shkatërrua”dhe që nga ajo kohë, ndryshoi gjithçka.

ECA – ose asociacioni i klubeve evropiane, për herë të parë zgjodhi një lider pa një proces votimi.

Në “fronin” e skuadrave evropiane u ul pikërisht presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi.

Gjatë kohës së Superligës, UEFA vendosi që të zhdukë tavanin e pagave dhe të ulë në mënyrë masive dënimet që mund të vijnë nga fair-play financiar.

Për këtë arsye, PSG-ja pa problem arrin të mbajë pesha të rënda si Messi, Neymar, Mbappe, Donnarumma, Ramos, Veratti etj. duke mos u shqetësuar fare se mund të thyejnë ndonjë ligj futbollistik që më parë ishte vendosur nga shtëpitë e mëdha të futbollit, UEFA dhe FIFA.

Përveç këtyre, në sy bien edhe bonuset e ndryshme në kontratat e futbollistëve.

P.sh, nëse PSG fiton një ndeshje 2-0, dhe Messi, Neymar shënojnë, kurse Ramos, Donnarumma arrijnë të mbajnë portën e paprekur, atëherë kjo PSG-së do t’i kushtojë diku rreth 20 milionë euro.

Me një matematikë të thjeshtë, sipas shumë faqeve statistikore, PSG-ja llogaritet të paguajë diku mbi 700 milionë euro bonuse në vit.

Krahasuar me skuadrat e tjera, kjo shifër është jashtëzakonisht e madhe.

Barcelona e vitit 2015, fituese e tripletës, në fund të sezonit, kishte paguar 75 milionë bonuse, shifër kjo që nga PSG, mund të kapet edhe për tri ndeshje.

Chelsea e vitit 2021, fituese e Champions-it, pagoi 87 milionë euro bonuse gjatë gjithë sezonit.

Pra, ky është një mesazh, që për Paris-in, paratë nuk janë problem.

Paris-i është me stadium në Francë, por zyrat e tyre kryesore gjenden me seli në Katar.

Kur vjen fjala te Katari, kjo qartëson edhe më shumë gjërat se pse për PSG-në është mbyllur njëri sy, kurse për skuadrat e tjera, masat sa vijnë e ashpërsohen.

Drejtuesit e PSG-së janë pikërisht organizatorët e Kupës së Botës 2022, që konsiderohet si korrupsioni më i madh në historinë e futbollit.

Mbi 6 mijë e 500 punëtorë kanë humbur jetën në organizimin e Katar 2022, gjë kjo që, as edhe një herë, nuk është përmendur nga FIFA, e cila pas kësaj kupe bote, profitin pritet ta ketë më të lartin në historinë e institucionit.

Me mendjen te Katari, FIFA po injoron gjithçka që po ndodhë në kryeqytetin francez.

Pseja e fundit, është pse Mbappe po refuzon kontratën më të madhe në histori të futbollit?

PSG-ja i ka ofruar Mbappe-s katër rinovime, e fundit në vlerën e 45 milionë eurove në vit.

Pa u menduar as edhe një herë, Kylian Mbappe ka rinovuar të gjitha kontratat.

Dikush mendon, pse vallë dikush do të refuzonte këto shifra.

Mbappe e dëshiron Real Madrid-in, këtë e ka bërë të ditur tash e shumë kohë.

“Santiago Bernabeu” është ëndrra e tij, dhe kjo po vërtetohet çdo ditë e më shumë me Mbappe-n që refuzon kontrata stratosferike.

Këto refuzime, të drejtojnë vetëm te një gjë – Mbappe do t’i bashkohet Real Madrid-it për zero euro.

PSG-ja është në gjendje të refuzojë 220 milionë euro për një futbollist të cilin do ta humbë për zero euro pas katër muajsh.

Kjo gjë ka ngritur shumë dyshime të tifozët e futbollit mbi mënyrën se si funksionojnë UEFA dhe FIFA, se në çfarë pike ka arritur futbolli dhe pse PSG-ja është kjo që është.

Në mesin e gjithë këtyre, u mbyll një merkato e çmendur, që sheh francezët të ndërtojnë një “super” skuadër, me transferimet surprizë që nuk munguan në asnjë shtet të Evropës.

Sezoni që po vjen premton spektakël, me kundërshtarin kryesorë të të gjithëve që tani ka një emër – Paris Saint-Germain.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore