Lajme

Pse makinat elektrike kushtojnë sa gjysma e çmimit në Kinë sesa në Evropë dhe SHBA?


Makinat elektrike kanë sjellë me vete edhe problemin e çmimeve.

Në segmentet më të vogla të tregut, mbetet një ndryshim i dukshëm në kosto midis motorëve me djegie të brendshme dhe makinave me emetim zero.

Në raportin e fundit të hartuar nga analistët në Jato Dynamics është shfaqur edhe një boshllëk tjetër.

Në Kinë makinat elektrike kushtojnë gjysmën e çmimit nga sa kushtojnë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Në vitin 2015, çmimi mesatar i makinave elektrike në Kinë ishte 37 për qind dhe 26 për qind më i lartë se ai i makinave të disponueshme në Evropë dhe SHBA, por trendi tani ka ndryshuar.

Në gjysmën e parë të vitit 2022, çmimi mesatar i një automjeti elektrik në Kinë ra në 31 mijë e 829 euro, ndërsa në të njëjtën periudhë u rrit në 55 mijë e 821 euro në Evropë dhe 63 mijë e 864 euro në SHBA.

Një vit më vonë, hendeku i çmimeve është zgjeruar më tej.

Çmimi mesatar me pakicë i një makine elektrike të disponueshme në Kinë është tani më pak se gjysma e çmimit të tarifuar në Evropë dhe SHBA.

Në gjysmën e parë të vitit 2023, një makinë elektrike kushtonte 31 mijë e 165 euro në Kinë, 66 mijë e 864 euro në Evropë dhe 68 mijë e 23 euro në SHBA.

Por si mund të ketë arritur Kina një nivel të tillë konkurrence?

Kreditet shkojnë thuajse tërësisht për ndihmën shtetërore.

Gjatë dekadës së fundit, qeveria kineze ka ofruar mbështetje të fortë për industrinë vendase të automjeteve elektrike duke shpërndarë subvencione në vlerë prej 57 miliardë dollarësh midis viteve 2016 dhe 2021.

Pothuajse të gjitha automjetet elektrike të shitura në Kinë janë të përjashtuara nga taksa e blerjes, një lëvizje që i bën ato më të përballueshme, rrit kërkesën e konsumatorëve dhe rrit të ardhurat e prodhuesve të automjeteve.

Avantazhi i Kinës mund t’i atribuohet gjithashtu kostove të ulëta të punës.

Rezultati është se markat e reja të makinave me emetim zero vazhdojnë të rriten në Kinë.

Shumë prej tyre zhduken pas një kohe të shkurtër, por sot ka mbi 170 marka lokale kineze në këtë sektor.

Një qasje kjo, krejtësisht e ndryshme nga ajo e adoptuar nga Evropa dhe SHBA-të.

Me shitjet vjetore në vend që i kalojnë 25 milionë njësi, në Kinë ka vend edhe për markat e reja vendase të makinave, ndryshe nga sa ndodh këtu, ku tregjet tani janë përgjithësisht të ngopur.

“Teksa Kina po bëhet një lojtar gjithnjë e më me ndikim në skenën globale të automobilave, markat e saj po bëhen më të dukshme në vendet ku, vetëm pak vite më parë, konsumatorët nuk do t’i kishin konsideruar ato një alternativë të qëndrueshme”, ka thënë analisti Felipe Munoz.

“Prodhuesit perëndimorë duhet të zhvendosin vëmendjen e tyre drejt kërkimit dhe zhvillimit të teknologjive të reja dhe proceseve të prodhimit të krijuara posaçërisht për një të ardhme plotësisht të elektrizuar”, ka shtuar ai.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore