Vende

Pse kaq ‘elastike’ Emiratet e Bashkuara Arabe?


Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë një nga më elastiket përballë varianteve të COVID-it, me shkallën më të lartë të vaksinimit dhe testime të gjera.

Dhe kjo, gjatë gjithë pandemisë.

Paçka se në pjesë të Evropës varianti Omicron ka sjellë sërish mbyllje, atje ndodh krejt e kundërta. Emiratet vazhdojnë të qëndrojnë të hapura për shumicën e udhëtarëve, duke i mbajtur infektimet të ulëta.

Prej pandemisë, qyteti më i populluar, Dubai, është shndërruar nga një qendër globale e turizmit në një tjetër qendër të investimit në komunitet.

“Të gjithë duhej të punonim së bashku për të mbrojtur njëri-tjetrin”, ka treguar Kathy Johnston, shefja e çokollatës në kompaninë e çokollatës Mirzam, e cila ka jetuar në qytet për më shumë se 30 vjet.

“Njerëzit po mbështesin më shumë koncepte dhe projekte lokale me autenticitet pas tyre. Gjërat po ecin pak më ngadalë dhe më me kujdes. Të jesh këtu duket sikur je në një planet ndryshe nga dy vjet më parë, dhe më pëlqen”, ka vijuar ajo.

Pse duhet shkuar atje?

Sipas banorëve, tani moti është perfekt.

“Tetori deri në maj është koha më e mirë e vitit për t’u vizituar sepse nuk është shumë nxehtë”, ka thënë banorja e Dubai-t. Tala Mohamad.

Çka nënkupton edhe kthimin e ngjarjeve dhe aktiviteteve në natyrë dhe mbrëmjeve të kaluara në oborre dhe sallonet buzë detit.

Qyteti po pret gjithashtu Expo 2020 deri në fund të marsit 2022, një ngjarje globale gjashtëmujore që paraqet pavijonet nga e gjithë bota, duke shfaqur inovacione unike dhe projekte futuriste.

“Mos e humbisni. Vetëm mos e humbisni”, ka ngulmuar Johnston.

Udhëtoni pa gjurmë

Gjatë dekadës së fundit, Dubai ka punuar me zell për t’u bërë më i qëndrueshëm, me investime të mëdha në energjinë diellore, ruajtjen e ujit dhe ndërtesat dhe infrastrukturën e gjelbër.

Gjithashtu Expo 2020 po pret një Pavijon të Qëndrueshmërisë, duke shfaqur projekte si pemët diellore që ofrojnë hije duke krijuar energji dhe një fermë të madhe vertikale që rrit nëntë mijë bimë dhe barishte.

Johnston ka treguar se papritur, pandemia ka krijuar një bum te kuzhinierët që angazhohen me përbërësit dhe talentin vendas, me një pjesë të vogël të hapësirave të reja që u hapën në dy vitet e fundit.

Banorja Dhawan, një këshilltare udhëtimi

Për një vështrim më të thellë të nismave të qëndrueshmërisë së qytetit, këshilltarja e udhëtimeve Vibha Dhawan ka sugjeruar të shihet ferma Bio Emirates, më e madhja fermë organike private në vend.

Kurse për të përjetuar shkretëtirën natyrore të rajonit, ajo ka rekomanduar resortin Al Maha.

I vendosur brenda parkut të parë kombëtar të Dubait, resorti me pesë yje është i përkushtuar për të ruajtur ekologjinë unike të shkretëtirës.

Dhe për një përvojë në zemër të qytetit, hoteli i ri One Central, i cili u hap në dhjetor të vitit 2021, feston traditat e vendit.

Përvoja fillon në holl me bibliotekën rrethore me më shumë se pesë mijë libra dhe vazhdon në të gjithë hotelin me artin dhe dekorin e frymëzuar nga beduinët.

Para se të shkoni, duhet të dini se…

Varianti Omicron ka kufizimet e veta mbi udhëtimet që ndryshojnë me shpejtësi, kështu që kontrolloni për njoftimet dhe kërkesat më të fundit.

Udhëtimi është i hapur për turistët e vaksinuar me një vaksinë të miratuar nga OBSH-ja, megjithëse vizitorët duhet t’i nënshtrohen një testi të shpejtë pas mbërritjes.

Udhëtarët e pavaksinuar duhet të japin një test negativ PCR brenda 72 orëve nga nisja.

Aktualisht, udhëtimi është i pezulluar për ata që vijnë nga ose kalojnë tranzit nëpër vende të caktuara afrikane.

Udhëtarët duhet të shkarkojnë aplikacionin Al Hosn, aplikacionin zyrtar të gjurmimit të kontakteve dhe statusit shëndetësor të Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili përdor një sistem të koduar me ngjyra (gri, të kuqe, jeshile) për të pasqyruar rezultatet e testimit dhe statusin e vaksinimit.

Autoriteti Shëndetësor i Dubait ofron aplikacionin DXB Smart, i disponueshëm për Android dhe iOS, i cili u jep vizitorëve informacion në kohë reale për normat aktuale të COVID-it, gjurmon rezultatet e testeve dhe përdoret për të treguar statusin e vaksinimit brenda vendit.

Marrë dhe përshtatur nga “BBC” për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore