Lajme

Pse – akoma – s’po zbatohet marrëveshja për energjinë?


Foto nga Albanian Post

Kanë kaluar gati gjashtë muaj që kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për energjinë në Bruksel, por kompania serbe Elektrosever vazhdon të mos respektojë afatet e pajtuara me udhërrëfyesin për implementimin e marrëveshjes së vitit 2013.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian si garantues i kësaj marrëveshje, po insiston që ky akord të zbatohet, por përgjegjëse bën të dyja palët.

Madje këtë ua ka bërë të qartë edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti edhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i deleguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitave që kishte në Prishtinë e Beograd më 5 dhe 6 dhjetor.

Kritik që nuk po implementohet marrëveshja është kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala.

Ai thotë për Albanian Post se zgjidhje ka, “por duhet veprim polik”.

“Pala serbe faktikisht ka arritur që ta devijojë marrëveshjen e Brukselit që është marrëveshje ndërkombëtare dhe parimet e negocimit. Qeveria e Kosovës ka ra në gracën politike dhe taktike të Serbisë, pasi ka hap shumë tema dhe asnjë nuk mund ta mbyllë”, tha ai.

Shala mendon se “çdo devijim është shkeljeje sovranitetit”.

“Elektroserveri duhet ta njoh Kosovën dhe të licencohet sipas marrëveshjeve. Është shqetësuese që Qeveria e Kosovës e ka lënë në harresë pjesën e sektorit të energjisë”.

“Konsideroj që jemi vonuar shumë dhe duhet një presion i madh tek ata që kanë garantuar që mos të lejojnë që të devijojnë marrëveshjet e nënshkruara”.

Bislimi: Kemi zbatim të pjesshëm

I pyetur nga anëtarët e komisionit parlamentar, Zëvendës-kryeministri, Besnik Bislimi, tha se zbatim të marrëveshjes ka, por është i pjesshëm.

“Kemi zbatim të pjesshëm të pikës së dytë të udhërrëfyesit për energji”.

Besnik Bislimi

Por, sipas tij, për licencimin e Elektoseverit, po kërkohet transferimi i të dhënave të konsumatorëve tek ZRRE-ja, KOSTT-i dhe KEDS-i.

Elektroseveri ka dorëzuar disa të dhëna, por Bislimi thotë se s’janë të plota.

“Janë dorëzuar 14 mijë të dhëna, që është numër dukshëm më i vogël, pasi numri i matësve të orëve në veri, ne mendojmë se janë diku mbi 22 mijë”, tha Bislimi.

Ai është i bindur që përveç të dhënave të cunguara “mungojnë edhe disa kolona të informatave dhe besohet që ka falsifikime edhe brenda këtyre të dhënave të dërguara nga Serbia”.

“Kemi implementim të pikës së tretë të udhërrëfyesit, meqë pika e tretë parasheh nënshkrim të kontratave me distributor, Elekstroseveri ka nënshkruar kontratë me transmisionin, pra KOSTT-in por nuk janë nënshkruar ende kontratat edhe me KEDS-in”.

Ndërkaq shton se pika e katërt është implementuar tërësisht, që ka të bëjë me dhënien e kodit identifikues për Elektroseverin.

“Por, kemi ngec në pika të tjera, sidomos në pikën e pestë ku kërkohet lehtësim i Bashkimit Evropian për të pasur qasje në nënstacionin e Vallaçit dhe krijimin e infrastrukturës fizike për KOSTT-in dhe KEDS-in.

Edhe Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, pati thënë për AP se Kompania serbe Elektrosever e ka dorëzuar një draft më të dhëna të konsumatorëve tek Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë, por KEDS-i ka kërkuar të dhëna shtesë.

“E kanë dërguar një draft, por ne i kemi thënë që janë të papranueshme nga KEDS-i, cili i ka kërkuar të dhëna shtesë”, pati thënë Fejzullahu.

“Elektrosver” i ka dërguar të dhënat, por i ka dërguar gabim – KEDS do informacione shtesë

Në faqen e vet zyrtare “Elektroprivreda Srbije” shkruan se është “një kompani e organizuar vertikalisht, e cila ka të drejta themeluese në dy filiale dhe tri ndërmarrje publike në Kosovë”.

Me afër 29 mijë punëtorë “Elektroprivreda Srbije” është kompania më e madhe në Serbi, në të gjitha llojet e industrive.

Certifikata e kësaj kompanie e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë thotë se aktivitet primar kjo kompani ka “Tregtinë e energjisë elektrike” dhe vetëm si aktivitet sekondar është dhënë “riparimi i pajisjeve elektrike”. Certifikata e kësaj kompanie e regjistruar në ARBK thotë se aktivitet primar kjo kompani ka “Tregtinë e energjisë elektrike” dhe vetëm si aktivitet sekondar është dhënë “riparimi i pajisjeve elektrike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore