Kosova

PSD pas ngritjes së çmimeve kërkon nga Qeveria rritjen e pagës minimale


Dardan Molliqaj, PSD

“Funksionalizimi i Këshillit Ekonomiko Social, rritja e pagës minimale lirimi i produkteve bazë nga TVSH-ja dhe pas lirimit nga TVSH-ja të këtyre produkteve bazë, diferenca e rritjes së çmimit të subvencionohet nga Qeveria e Kosovës” janë masat të cilat duhet të ndërmerren nga ana e Qeverisë së Kosovës pas rritjes së çmimeve, sipas Kryetarit të Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj.

Molliqaj gjatë një konference për media ka potencuar se paga minimale në Kosovë do të duhej që të rritej në 350 euro, pasi sipas tij qysh nga viti 2011 paga minimale ka qëndruar e paprekur.

Kryetari i PSD-së ka komentuar edhe rritjen ekonomike e cila proklamohet nga Qeveria e Kosovës, duke e cilësuar atë si togfjalëshi i preferuar i Qeverisë.

“Çka ne po shohim është që ka rritje ekonomike e cila nuk po përkthehet në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Ky është më shumë koncept i djathtë sesa koncept i një Qeverie të majtë ose socialdemokrate”, ka thënë Molliqaj.

Tutje, ai paralajmëroi aksion simbolik në lidhje me ngritjen e çmimeve të produkteve bazë në vend.

“Në bazë të asaj që kemi vërejtur, besoj se nga java e ardhshme do të angazhohemi edhe me ndonjë aksion simbolik në lidhje me këtë çështje”.

Ndërsa aktivisti i PSD-së, Imer Raçi, ka treguar se një shportë me produkte bazë që ka kushtuar 18 euro, tani e njëjta kushton 23.55 cent.

“Personat që janë goditur nga kjo situatë është edhe për ata që marrin pagë mesatare, të cilët janë goditur nga rritja e çmimeve për 37 për qind, të cilët kanë pagë deri në 280 euro. Buka, miell gruri, mish pule, vezë e shumë produkte tjera, janë nder produktet që janë rritur në Kosovë. Një shportë me produkte ushqimore për qytetarët që ka kushtuar 18 euro, ndërsa tani kushton 23.55 euro më shumë”.

Shporta e qytetarit para dhe pas rritjes së çmimeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore