Lajme

PSD-ja dorëzon peticionet e vjetra të VV-së


Peticionet e dorëzuar nga PSD-ja para Qeverisë së Kosovës.

Partia Socialdemokrate (PSD), të hënën ka dorëzuar qindra peticione që i kundërshtonte Lëvizja Vetëvendosje marrëveshjet e vitit 2015.

Njëri nga peticionet që PSD-ja e dorëzoi është kundërshtimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, në vitin 2015.

Në peticionet që i ka dorëzuar PSD-ja shihet i nënshkruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, para mediave ka thënë se kryeministri Kurti është shfaqur ndryshe në opozitë e ndryshe në pushtet.

“Përveç që kanë mbi 205 e mijë qytetarë që e kanë kundërshtuar, qeveria e Kosovës nuk i ka pyet qytetarët dhe nuk ka marrë mandat për me nënshkrua një marrëveshje të tillë”.

“Ajo që është interesante, në fund të njërës prej kësaj fletave, nënshkrues është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Siç mund ta shihni me datën 18.09.2015, Albin Kurti e nënshkruan këtë tekst, pra nuk mund të jenë dy Kurta, edhe ai i cili e nënshkruan kundërshtimin edhe ai i cili e zbaton këtë marrëveshje”.

Peticionet e dorëzuar nga PSD-ja para Qeverisë së Kosovës.

Molliqaj, ka shtuar se është kundër marrëveshjeve të dëmshme ndaj Kosovës.

“Kritika jonë nuk është që Albini i ka ndërru fjalët, kritika jonë është që Albini po e bënë një marrëveshje të dëmshme”, tha Molliqaj.

Duke arsyetuar se pse një marrëveshje e tillë do të shkaktoj pasoja për vendin.

“Kjo marrëveshje është logjika e ndarjes etnike në Kosovë. Ne nuk besojmë që zgjidhjet e problemit mes Kosovës dhe Serbisë janë zgjidhjet etnike. Ne vazhdimisht bëjmë thirrje për një marrëveshje e cila është gjithëpërfshirëse e përfundimtare dhe nuk i konservon ndarjet etnike. Besoj që kurrë më shumë se sot Albin Kurti duhet ta ketë parasysh se s’ka mandat me bë marrëveshje etnike në Kosovë dhe po ashtu i ka mbi 205 mijë qytetarë në mesin e tyre edhe veten që e kanë nënshkruar”, tha tutje Molliqaj.

Dardan Molliqaj.

Ndërsa për liberalizimin e vizave, Molliqaj ka thënë se Qeveria aktuale duhet të shtoj përgjegjësitë.

“Padrejtësia ndaj Kosovës për çështjen e mosliberalizimit të vizave është shumëfishë e rëndë edhe e papranueshme. Ne besojmë që qytetarët e Kosovës qysh moti është dashur të kenë të drejtën e lirisë së lëvizjes pa viza. Nëse qeveria tentoi t’i marr meritat për liberalizim, atëherë duhet t’i marr edhe përgjegjësitë”.

“Besoj që përgjegjësia e mosliberalizimit të vizave është e BE-së. Nuk është merite e kësaj qeveria as nuk është përgjegjësi e kësaj qeverie direkte, por është interesant që qeveria kur ndodh diçka mirë thotë unë e bëra, ndërsa kur është keq i kanë fajet te të tjerët”.

Ndryshe më 24 qershor, “Këshilli Prokurorial i Kurtit” dhe “Republika e tretë e kapur”, ishin mbishkrimet që Partia Social Demokrate i la të shënuara në murin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore