Shqipëria

“PS fiton sepse identifikohet me ndryshimin”


“Kemi mbetur në sytë e njerëzve partia që identifikohet me ndryshimin”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka këtë mendim mbi fitoren e tij të tretë, pasi u pyet nga ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou, mbi arsyet e jetëgjatësisë politike në krye të vendit.

Në edicionin e 23-të të “Symi Symposium”, kryeministri, me një pamje ndryshe dhe më të relaksuar, ka folur mbi suksesin e tij politik.

“Kemi luftuar gjatë gjithë kohës për të ndryshuar partinë tonë. Jemi përpjekur të sjellim njerëz nga fusha të ndryshme të jetës. Të kemi një sinergji midis çfarë dhe kujt identifikohet si vetëm partia dhe atyre që shihen si përfaqësues të drejtpërdrejtë të njerëzve”.

Kjo është arsyeja e parë e fitores sipas Ramës. Ndërsa tjetra, është ajo mbi çfarë qeverisja socialiste ka bërë sipas tij.

“Për njerëzit është e qartë që kjo është rruga drejt progresit. Puna është në progres dhe në drejtimin e duhur”. Këtu, duke shtuar fushatën zgjedhore të pazakontë nën rregullat e reja të caktuara nga COVID-19.

Vetë Papandreou, e cilësoi fitoren e Ramës dhe socialistëve si “mbresëlënëse”. Ai gjithashtu përkujtoi vitin e largët por të afërt 2000, kur Rama mori pjesë për herë të parë në simpoziumin e dytë “Symi”.

Qeverisja elektronike dhe bashkëpunimi rajonal

Ndër temat dhe reformat më të rëndësishme të cekura nga Rama, ishte kalimi i institucioneve shtetërore në një version elektronik. Pra, një kalim të shërbimeve në online.

Kjo, edhe sipas Papandreou-t, ka qenë ndër pikat kyçe në Greqi. Përtej lehtësimit të shërbimeve, transparenca është detaji që mundësohet nëpërmjet digjitalizimit.

Ndërkohë, pikë bazë për bashkëpunimin rajonal sipas Ramës, është zhvillimi i industrisë së energjisë. Të tre llojet, ajo hidrike, e erës dhe diellore, janë zhvilluar në Shqipëri. Pa u harruar dhe anashkaluzar këtu, është ndërtimi i dy parqeve fotovoltaike më të mëdha në Ballkan, në tokën shqiptare.

Sipas Ramës, kjo çon edhe në bashkëpunim më të lartë rajonal. Si të vetme, shtetet e Ballkanit mund të mos jenë shumë të fuqishme. Por, nëse ndërtohet një treg i përbashkët dhe nëse bashkërendohen punë të tilla, shumë mund të përftohet nga shtetet ballkanike.

E njëjta gjë vlen edhe për turizmin. I gjithë gadishulli ka potencial të madh turistik.

Mirëpo, nuk duhet rënë pre e gabimeve dhe në vend që të bëhet mirë, të shkatërrohet gjithçka. Këtu, kryeministri përmend rastin e Greqisë, si shembull për strategjinë që Shqipëria ndjek për ta zhvilluar turizmin mirë.

Ndër investimet, ai përmendi katër portet e të ardhmes në Shqipëri. Ndër to, më i rëndësishmi është investimi i Emirateve të Bashkuara Arabe, në portin e Durrësit. Ky port, do të shndërrohet në atë që është quajtur edhe si “Dubai i Mesdheut”.

Infrastrukturë dhe informatikë

Janë disa investimet dhe sektorë prioritarë për Ramën, që do të mundësojnë zhvillimin në Shqipëri. Gjithsesi, ndër më të rëndësishmit, janë investimet në infrastrukturë dhe në teknologji informacioni.

“Kemi disa investime madhore mbi zhvillimin e infrastrukturës. Më i madhi, është sigurisht projekti për korridorin blu”.

Ky i fundit, përfshin lidhjen e Shqipërisë nga veriu në jug, nëpërmjet një autostrade të vetme. Kjo, do të mundësojë edhe lehtësim për kalimin drejt Greqisë. Investimi gjithsesi mbetet ende në fazë tenderimi.

Mbi teknologjinë e informacionit, Rama ka përmendur aspektet e kodimit, si themelor për t’ia mësuar fëmijëve. Kjo, pasi hapen mundësi të reja tregu, qoftë kombëtar qoftë ndërkombëtar.

Me rëndësi sipas tij, janë edhe futja që prej klasës së parë e anglishtes në mësimdhënie. Gjuha e huaj, është sipas tij një trampolinë dhe urëndërtuese për të ardhmen.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore