Shqipëria

“Provimet erdhën, a jemi gati pas mësimit online?”


Provimet e Maturës Shtetërore 2021 do të zhvillohen nga “data 3 qershor deri më datë 15 qershor”.

Ky është njoftimi i Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë (MASR), e cila ka nisur përgatitjet që në fillim të vitit akademik 2020-2021.

Drejtoresha e Qendrës së Shërbimit Arsimor (QSHA), Rezana Vrapi, për Albanian Post (AP) tregon rreth përgatitjeve për Maturën Shtetërore.

“Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar ka publikuar programet orientuese për të gjitha provimet e maturës shtetërore dhe për të gjitha profilet e shkollave; profesionale, me kohë të shkurtuara artistike etj.”, thotë fillimisht ajo.

Sipas saj, tashmë është përcaktuar regjistrimi në portalin e maturantëve për fazën A1 dhe A1Z.

Vrapi bën me dije se çdo maturant merr një ID të maturës shtetërore, mbi bazën e së cilës QSHA printon tezën.

Më pas, vazhdohet me finalizimin e rregullores së maturës shtetërore dhe udhëzimin e ministrit për datat. Vrapi thekson se “të gjitha këto janë të mbyllura dhe të finalizuar”.

Rregullorja e maturës shtetërore miratohet nga Ministria e Arsimit, ndërsa hartohet nga Komiteti i Maturës Shtetërore, i cili e ka nisur funksionimin që me fillimin e vitit akademik.

Cilësia e të nxënit pas mësimit online

“Pak e vështirë se ishim online për 2 vite. Sado nxënës i mirë të jesh, prapë është e vështirë përthithja e informacionit”, thotë për AP-në Ersada Metaliaj, maturante në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Hydajet Lezha” në Lezhë.

Ndërsa maturanti Aldi Marku shprehet për AP-në se nuk ndihet “aspak” i përgatitur, pasi e cilëson të mësuarin online si “sfidues”.

Tani që “provimet erdhën, nuk e di sesa gati jemi pas mësimit online?!”, thotë ndër të tjera maturanti.

Kjo, thotë ai, pasi “shpjegimi i ushtrimeve të matematikës, sipas platformës online, ka qenë i vështirë, për shkak të problemeve teknike. Shpeshherë mësuesja detyrohej ta përsëriste të njëjtin ushtrim, se disa nuk kishin lidhje të mirë me internetin”.

Megjithatë, drejtoresha e QSHA-së thotë se të gjithë këto problematika do të merren parasysh, pasi kjo metodë e të mësuarit “ka ndikuar në cilësinë e të nxënit nga ana e nxënësve, si dhe në cilësinë e mësimdhënies nga ana e mësuesve”.

“Ne jemi shumë të vëmendshëm në pjesën e marrjes parasysh të kushteve të pandemisë dhe mënyrës sesi është zhvilluar mësimi në shkolla”, thotë ajo.

Sipas udhëzimit, provimet e Maturës Shtetërore do të fillojnë në orën 10:00 të mëngjesit dhe do të zgjasin dy orë e 30 minuta. Testet e Maturës Shtetërore janë hartuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, ku secili test do të vlerësohet me 60 pikë maksimale.

Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet më 3 qershor 2021, ai i gjuhës shqipe dhe letërsisë më 7 qershor, i matematikës më 11 qershor. Kurse i fundit, ai i lëndës me zgjedhje, më 15 qershor. Secili provim ka një diferencë katërditore nga tjetri.

Hartimi i tezës

QSHA, si institucion, merret me saktësimin e strukturës së testit, përmbajtjes së saj dhe me mënyrën e zbatimit të programit orientues. Sipas drejtoreshës, do të tregohet vëmendje për llojet e pyetjeve dhe përmbajtjes së tyre.

“Do të mundohemi të kemi një test të ekuilibruar dhe të menaxhueshëm nga ana e vështirësisë. Të mos i kalojë ato nivele që mund të kenë qenë normale vitin e kaluar si vështirësi, por që këtë vit maturantët mund të mos kenë mundur t’i marrin të gjitha”, sqaron Vrapi për AP-në.

Artenisa Frroku, maturantja 18-vjeçare, shprehet se kanë zhvilluar orë shtesë dhe konsultime me mësuesit e lëndëve. Kjo, me qëllim përmbushjen e boshllëqeve që ka shkaktuar pandemia.

Masat e pandemisë në shkolla

Ndonëse shihet se Komiteti i Ekspertëve i ka lehtësuar masat në lidhje me pandeminë, sërish MASR ka vendosur të tregohet e rreptë me masat kundër pandemisë Covid-19.

Ajo shprehet se, pavarësisht se ditëve të fundit pandemia është lehtësuar, do të vazhdojmë sikur jemi në kushte që kemi qenë vitin e kaluar.

“Te rregullorja e MSH ka një seksion, që ka të bëjë me mjedisin në kushte pandemie. Do të respektohet distanca, kushtet e higjienizimit, hyrja nëpër shkolla. Të gjitha këto janë pjesë e rregullores së maturës shtetërore”, tha drejtoresha e QSHA-së, Vrapi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore