Lajme

Protestojnë banorët e lagjes Mati 1 në Prishtinë – kërkojnë rregullimin e rrugës


Fotografi të siguruara nga vendi i ngjarjes

Banorët e lagjes Mati 1, në Prishtinë, konkretisht ata që jetojnë në rrugën  “Muharrem Fejza”, kanë protestuar duke shprehur pakënaqësitë e tyre me zvarritjen e punimeve nga ana e komunës së Prishtinës për rregullimin e kësaj rruge.

Njëri nga organizatorët e kësaj proteste Dren Shahini, ka thënë mos rregullimi i kësaj rruge po u shkakton telashe të mëdha.

“Tash e katër muaj na kanë futë në një përditshmëri dhe mjerim, kanë filluar punimet pa i njoftuar qytetaret e kësaj lagje dhe pa i hapur rrugët alternative” ka thënë Shahini.

Gjendja e rrugës “Muharrem Fejza”

Ai është shprehur se punimet në këtë rrugë kanë filluar para katër muajve dhe ende nuk dihet se kur do të përfundojnë.

“Punimet janë multidiciplinare ku janë duke punuar më shumë se dy kompani, por që nuk po shohim koordinim dhe menaxhim të punimeve nga ana e Komunës”.

Shahini ka shtuar se me bllokimin e punimeve në këtë rrugë janë bllokuar edhe shërbimet e urgjencës.

“Nuk mund të futen as zjarrfikësit as ambulantet dhe ka banorë qe kanë mbet tash e katër muaj brenda ndërtesave, ku përfshihen të moshuar, prind me karroca dhe fëmijë”.

Banorët kanë kërkesa që të lirohet rruga pasi që edhe një muaj fillon viti shkollor dhe se fëmijët nuk kanë tjetër alternativ dhe nga kjo po u dëmtohen edhe veturat si dhe nuk po u lejohet qasja në dokumentet publike nga komuna.

Megjithatë, protesta e banorëve ka përfunduar qetë, derisa banorët kanë paralajmëruar që protestën radhës do ta mbajnë para objektit të Komunës së Prishtinës, në rast se nuk rregullohet rruga ditëve në vijim.

Fotografi të siguruara nga vendi i ngjarjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore