Lajme

Protesta në Francë: 310 arrestime pas përleshjeve për “reformën e pensioneve”


Disa mijëra protestues u mblodhën në Francë të enjten për të shprehur zemërimin e tyre pas njoftimit të përdorimit të nenit 49-3 për të shtyrë reformën e pensioneve.

Këtë të premte, mëngjesin e 17 marsit në RTL, Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin njoftoi 310 arrestime në të gjithë Francën, përfshirë 258 në Paris.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Paris, Marseille, Bordeaux, Nantes Amiens … Disa skena kaosi janë vërejtur dje në Francë.

Në Dijon, modelet që mbanin figurën e Emmanuel Macron, Elisabeth Borne, Olivier Véran dhe Olivier Dussopt, u dogjën në sheshin publik.

Prefekti i Bourgogne-Franche-Comté njoftoi në një deklaratë për shtyp se do të bëjë një ankesë në emër të shtetit.

Turmat u mblodhën në Place de la Concorde në përgjigje të rritjes së moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç.

Planet kishin ndezur dy muaj debate të nxehta politike dhe greva.

Së fundi, kryeministrja Élisabeth Borne thirri nenin 49:3 të kushtetutës – duke i lejuar qeverisë të shmangë një votim në Kuvend.

Vendimi u mor pak minuta përpara se deputetët të votonin për projektligjin e diskutueshëm, pasi nuk kishte garanci për të fituar shumicën.

Ky veprim shkaktoi zemërim tek politikanët e opozitës.

Shumë talleshin me kryeministrin, kënduan La Marseillaise dhe mbajtën shenja proteste në parlament.

Një mocion mosbesimi do të paraqitet kundër qeverisë së presidentit Emmanuel Macron, ka sugjeruar liderja e opozitës së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Udhëheqësja e partisë së majtë La France Insoumise (LFI), Mathilde Panot, postoi në Twitter se Macron e kishte zhytur vendin në një krizë qeveritare, pa legjitimitet parlamentar apo popullor.

Mijëra njerëz dolën në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera franceze për të refuzuar masën, duke kënduar himnin kombëtar dhe duke valëvitur flamujt e sindikatave.

Disa protestues u përleshën me policinë kur ra mbrëmja.

Një zjarr u ndez në mes të Place de la Concorde dhe policia me mburoja dhe shkopinj hodhi gaz lotsjellës dhe u zhvendos për të pastruar sheshin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore