Kosova

Propozimi i kongresistes Tenney dëshmi se perceptimi për Kosovën në SHBA po ndryshon


Ilustrim

Propozimi i kongresistes amerikane nga radhët e Republikanëve, Claudia Tenney, për hyrjen në fuqi të një akti ligjor që e ndërlidh ndihmën amerikane për Kosovën me plotësimin e pikave të Marrëveshjes së vitit 2013, pjesë kryesore e së cilës ishte Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, është një alarm për shtetin e Kosovës, vlerëson ligjëruesi i Shkencave Politike, Dritëro Arifi.

Ndonëse propozimi i përfaqësueses së New Yorkut në Dhomën e Përfaqësuesve është shumë i anshëm në sensin e asaj që Serbia nuk obligohet për asgjë, në këtë rast për Arifin një gjë e tillë dëshmon se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës perceptimi për Kosovën, të paktën te disa kongresistë, po ndryshon.

“Kjo automatikisht na jep një fotografi që lobimi serb është fuqizuar jashtëzakonisht shumë në SHBA dhe e kundërta po ndodh me lobimin kosovar që ka një tkurrje skajshmërisht të madhe”, thotë Arifi për Albanian Post.

Në praktikë, beson Arifi, ky akt ligjor vështirë që mund të kalojë meqë kongresistët janë të mirinformuar për situatën reale në terren, por mesazhi që po dëshirohet të përçohet ndaj Kosovës përveç se është i qartë është edhe shqetësues.

“Mesazhi është i qartë për Kosovën se çfarë duhet të bëjë që të mos ketë këso propozimesh në të ardhmen, sepse ato dikur mund të shumëfishohen, pra kjo është një alarm për shtetin e Kosovës dhe politikën e jashtme të Kosovës”, potencon ai për AP.

Sipas Arifit, Kosova në këtë fazë ka arsye për t’u ndjerë e shqetësuar pasi që kongresistja Tenney me iniciativën e saj po ndërton narracionin që Serbia është një lojtare e rëndësishme për SHBA-të.

“Pra, kjo është dështim i madh i Qeverisë së Kosovës dhe politikës së jashtme të saj. Është alarmi i fundit që politika shtetërorë të kuptojë që propozimet e tilla edhe pse mund të mos kalojnë në kongres, por vetëm ngritja e tyre është shqetësim real për politikën që po ndërtohet në SHBA”.

Tenney, një përkrahëse e hapur e Donald Trump-it, të mërkurën lëshoi një njoftim për media ku thuhej se qëndrimi për të mos e ndihmuar Kosovën derisa të zbatojë pikat e marrëveshjes është “imperativ për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të marrin qëndrim për demokracinë, paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Ajo propozoi të miratohet një Akt i Mbështetjes së zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013 dhe kjo ta ndërlidhë ndihmën amerikane për Kosovën me zbatimin e kësaj marrëveshje.

“Akti i Mbështetjes për Marrëveshjen e vitit 2013 dërgon mesazhin e qartë se ndihma jonë duhet të jetë e ndërlidhur me principet e Marrëveshjes 2013”, deklaroi Tenney, njoftoi faqja e saj zyrtare.

Dritëro Arifi

Ajo shtoi se Akti duhet gjithashtu të saktësojë se SHBA-të qëndrojnë “kategorikisht kundër veprimeve që cenojnë të drejtat dhe mirëqenien e serbëve të Kosovës”.

“Ky legjislacion do të reflektonte përkushtimin tonë për paqe dhe mbajtjen përgjegjës të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës”, vazhdoi tutje ajo.

Kongresistja pretendoi se për shkak se nuk është zbatuar kjo marrëveshje ka “shtypje dhe diskriminim të serbëve të Kosovës në Kosovë”.

Akti i propozuar nga Tenney do të ndalonte për Shtetet e Bashkuara të Amerikës çfarëdo ndihme derisa disa kushte të caktuara të dala nga Marrëveshja e Brukselit 2013 të plotësoheshin.

“Dështimi i Kosovës për të përmbushur zotimet nga kjo marrëveshje shkel normat ndërkombëtare dhe krijon tension e jo stabilitet në Ballkanin Perëndimor”.

Amerikanja përmendi veçanërisht Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin thotë se “Kosova ka dështuar ta zbatojë këtë përkushtim kryesor të saj”.

Në Aktin e propozuar të Tenney, që zë një ulëse në Dhomën e ulët të Kongresit Amerikan (ekuivalente me pozitën e deputetit në Kosovë) nuk përfshihet ndonjë obligim për Serbinë që të respektojë marrëveshjet me Kosovën.

Nga mbi 30 marrëveshje të arritura nga dialogu në Bruksel, Kosova nuk ka zbatuar vetëm këtë të 2013, derisa Serbia një shumicë dërrmuese, siç është edhe ajo për energjinë elektrike që u arrit së voni, pastaj atë për targa dhe për pranimin e diplomave.

Përkundër kësaj, Tenney kishte kritika vetëm për Kosovën dhe jo për sjelljen dekstruktive të Serbisë.

Ajo, kur ka folur për destabilitetin në Veri të Kosovës, nuk ka përmendur fare as aktin e kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe dhe as sulmin para-ushtarak terrorist nga Serbisë në Kosovë, të udhëhequr nga Milan Radojiçiç, i kategorizuar në listë të zezë edhe nga vetë SHBA-të.

Kongresistja amerikane propozon Akt që “ia ndalon Amerikës ndihmën për Kosovën pa u zbatuar Marrëveshja e vitit 2013, përfshirë Asociacioni”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore