Lajme

Propozimi i Biden-it ndalon shkollat amerikane nga ndalimi i plotë i atletëve transgjinorë


Administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka hedhur një propozim që do t’i ndalonte shkollat dhe kolegjet në të gjithë SHBA-të të miratonin ndalime të drejtpërdrejta për atletët transgjinorë.

Por ekipet mund të krijojnë disa kufij në raste të caktuara – për shembull, për të siguruar drejtësi.

Sakaq, propozimi duhet t’i nënshtrohet një procesi të gjatë miratimi dhe është pothuajse e sigurt që do të përballet me sfida nga kundërshtarët.

“Çdo student duhet të jetë në gjendje të ketë përvojën e plotë të ndjekjes së shkollës në Amerikë, duke përfshirë pjesëmarrjen në atletikë, pa diskriminim”, tha Miguel Cardona, sekretari arsimor i Biden-it.

Administrata Biden përdori si kriter “ndershmërinë e konkurrencës”, e cila ka qenë pjesë e debatit në SHBA dhe globalisht.

Masa është një përpjekje për të kundërshtuar një valë masash të mbështetura nga republikanët që synojnë të drejtat e komunitetit LGBTQ+, veçanërisht pjesëmarrjen e sportistëve trans në sportet shkollore.

Teksa kundërshtarët e kritikuan ashpër propozimin, disa avokatë për atletët transgjinorë ishin të shqetësuar se ai nuk shkoi aq larg sa duhet.

Propozimi erdhi në të njëjtën ditë kur Gjykata e Lartë e SHBA-ve refuzoi të lejonte Virginia-n Perëndimore të zbatonte një ligj shtetëror që ndalonte sportistët trans nga ekipet sportive femra në shkollat publike, një nga shumë masa të ngjashme në të gjithë vendin.

Gjyqtarët mohuan kërkesën për të hequr një urdhër kundër ligjit që një gjykatë më e ulët kishte vendosur ndërsa procesi gjyqësor vazhdon mbi ligjshmërinë e tij në një sfidë të paraqitur nga një vajzë transgjinore 12-vjeçare, Becky Pepper-Jackson.

Dy gjyqtarë konservatorë, Samuel Alito dhe Clarence Thomas, kundërshtuan publikisht vendimin.

Ligji, i miratuar në vitin 2021, përcakton ekipet sportive në shkollat publike, duke përfshirë universitetet sipas “gjinisë biologjike” dhe ndalon studentët meshkuj nga ekipet atletike femra “bazuar vetëm në biologjinë riprodhuese të individit dhe gjenetikën në lindje”.

Në padi, Pepper-Jackson dhe nëna e saj Heather argumentuan se ligji diskriminon në bazë të seksit dhe statusit transgjinor në kundërshtim me amendamentin e 14-të të Kushtetutës së SHBA-ve për mbrojtjen e barabartë sipas ligjit, si dhe ligjin për të drejtat civile.

Kurse pala tjetër tha në një dosje gjyqësore se mund të caktojë ligjërisht ekipet atletike sipas gjinisë dhe jo identitetit gjinor “ku dallimet biologjike midis meshkujve dhe femrave janë pikërisht arsyeja që ekzistojnë ato ekipe të veçanta”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore