Kosova

Propozimi i BE-së për njohjen e pasaportave ilegale serbe, afirmon juridiksionin e Serbisë mbi Kosovën


Ilustrim

Me propozimin për heqjen e vizave edhe për qytetarët serbë të Kosovës, pasaportat e të cilëve lëshohen nga Drejtoria Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, Bashkimi Evropian, sipas njohësve të integrimeve evropiane, po e shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Propozimi i Komisionit Evropian për heqjen e vizave për pasaportat të cilat Qeveria e Kosovës i konsideron ilegale, sipas hulumtuesit të lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) me seli në Uashington D.C. të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leon Hartwell, është dëshmi që Unioni po shtyjnë përpara, me dashje, agjendën e atyre që po avokojnë ballkanizimin (term pezhorativ që ilustron procesin e fragmentimit të një zone, vendi ose rajoni nëpër njësi shumë më të vogla dhe armiqësore me njëri-tjetrin) e mëtejshëm të rajonit.

Ky trend, vlerëson bashkëpunëtor i lartë në Think Tank-un IDEAS me bazë në Universitetin prestigjioz London School of Economics (LSE), është në përputhje me vendimet e tjera të BE-së kundrejt Kosovës, sikurse presioni ndaj Kosovës që të miratojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe pa marrë asgjë në këmbim.

“Njohja që po i bënë BE-ja dokumenteve të lëshuara nga qeveria serbe për qytetarët serbë të Kosovës sugjeron një njohje de facto të juridiksionit të Serbisë mbi Kosovën. Kjo është dëshpëruese, veçanërisht kur 22 nga 27 anëtarët e BE-së e njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë Hartwell për Albanian Post.

Propozimi në fjalë, beson Hartwell, pengon gjithashtu edhe kapacitetin e Kosovës për të promovuar integrimin e serbëve të Kosovës dhe dobëson autoritetin e saj të përgjithshëm.

“BE-ja me këtë propozim po kufizon autoritetin e qeverisë së Kosovës për të nxjerrë dokumentacionin e vet, i cili përmban simbole kombëtare”, pohon ai.

Përveç përmbajtjes, propozimi i BE-së, është problematik edhe në aspektin kohor, meqë, në këtë fazë, konsideron Hartwell, kemi një shpeshtim të përpjekjeve të Serbisë për të minuar sovranitetin e Kosovës.

“Serbia po luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e de-stabilitetit në Veri të Kosovës, duke mbështetur grupe si Lista Serbe dhe organizatat terroriste që synojnë të përshkallëzojnë paqëndrueshmërinë, e cila mund të përhapet lehtësisht në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit”.

Pasaporta ilegale

Javë më parë Komisioni Evropian ka propozuar heqjen e vizave për qytetarët serbë të Kosovës, pasaportat e të cilëve lëshohen nga Drejtoria Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë.

Kur Serbisë BE-ja ia liberalizoi vizat, Unioni nuk pranoi që pa viza të udhëtonin edhe serbët e Kosovës që refuzonin pasaportën e Kosovës dhe merrnin pasaporta të Serbisë.

Serbia i lëshon ato pasaporta për qytetarët e Kosovës akoma me qytete të Kosovës të cilat i prezanton si qytetet të Serbisë. Njëjtë si me targat ilegale ku vendosen emra qytetesh të Kosovës, ashtu edhe me pasaporta.

Për këtë arsye BE vendosi që të mos i liberalizoi vizat edhe për këto pasaporta, por tani Komisioni Evropian i propozoi Parlamentit Evropian që Rregulloren e BE-së 2018/1806 në mënyrë që poseduesit e pasaportave serbe nga Kosova, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të lirohen nga kërkesa për të pasur vizë kur kalojnë kufirin drejt shteteve të Zonës Schengen.

Për ligjëruesin e Shkencave Politike, Dritëro Arifi, propozimi i Komisionit Evropian për vizat duhet analizuar në tri aspekte.

Njëjtë si Hartwell edhe Arifi, konsideron se vendimi i Komisionit Evropian është shkelje flagrante e të gjitha marrëveshjeve që BE-ja ka ndërmjetësuar me Kosovën dhe për Kosovën.

Leon Hartwell dhe Dritëro Arifi

Ky vendim i BE-së, sipas Arifit, është rikthim i fuqishëm i Rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Mbi të gjitha me këtë vendim, BE-ja, vlerëson Arifi, ka zhvlerësuar në tërësi pasaportën e Kosovës.

“Pra, në një farë mënyre Komisioni Evropian me vetëdije apo vetëdije e ka zhvlerësuar në një far mënyre shtetësinë e Kosovës, kjo është një qasje totalisht e gabuar sepse është dashur që të ketë konsulta me Qeverinë e Kosovës mbi këtë çështje dhe si se sheh Qeveria e Kosovës këtë problem”, pohon Arifaj për Albanian Post.

Kësisoj Qeveria e Kosovës, sipas Arifajt, duhet të gjejë mënyra e mekanizma ta bllokojë këtë vendim.

“Ky vendim, në këndvështrimin tim, nuk duhet të kaloj nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian, sepse do të ishte kthim prapa”, thekson ai.

Ndryshe Qeveria e Kosovës shprehu shqetësimin e saj në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe.

Sipas saj, ky vendim i BE-së përveç që shkel sovranitetin e vendit, minon edhe integrimin e komuniteti serb.

“Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme. Njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet tona në të cilat jemi angazhuar bashkërisht prej vitesh”, shkroi zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, pak ditë pas propozimit në fjalë.

Propozimi, kishte vlerësuar Bislimi, shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e strukturave ilegale të Serbisë.

“Ne ftojmë BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel. Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza”.

Kësisoj Qeveria e Kosovës, sipas Bislimit, tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta.

“Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29 për qind”.

Bislimi ndër të tjera kishte njoftuar se kundërshtimi i Qeverisë së Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave për pasaportat ilegale të serbëve të Kosovës është adresuar edhe në instancat më të larta të BE-së.

“I bëjmë thirrje BE-së që të rishqyrtojë këtë propozim, i cili përmban shkelje të shumëfishta”.

Askush s’e ka të qartë propozimin e KE-së për njohjen e pasaportave ilegale serbe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore