Lajme

Prokuroria Themelore pranoi vetëm para një jave kallëzimin penal për këmbësorin që vdiq para 2 muajve


Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të enjten se vetëm më 31 janar 2024, pra para 8 ditëve, pranoi kallëzimin penal nga Policia e Kosovës për rastin e aksidentit të datës 2 dhjetor 2023, ku një këmbësor u godit për vdekje nga një veturë në rrugën “Bill Klinton” në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

“Bëjmë të ditur për opinionin publik se nga dita kritike kur ka ndodhur rasti, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka qenë në pritje të kallëzimit penal nga policia, derisa më 31 janar 2024, ka pranuar të njëjtin dhe i është ndarë prokurorit përkatës, i cili është duke e trajtuar këtë çështje penale”, tha për Albanian Post, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ferhat Bejtullahu, profesor univeristar dhe ligjerues i lëndës së arkitekturës në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), mbeti viktimë e një aksidenti që ndodhi para dy muajve në rrugën “Bill Klinton” në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Familja Bejtullahu kërkon drejtësi, duke thënë se shkaktari i aksidentit, fëmijë i një biznesmeni të njohur, vazhdon të jetë i lirë.

Sihana Bejtullahu, vajza e viktimës, nëpërmjet një reagimi të mërkurën, akuzoi autoritetet e drejtësisë për “mosveprim të drejtë” dhe “manipulim të provave” sa i përket rastit, duke shtuar se shkaktari i aksidentit që rezultoi me pasoja fatale për 63-vjeçarin nuk e mbajti “as një orë burg” dhe rrjedhimisht, bleu lirinë për shkak të lidhjeve të ngushta politike dhe biznesore.

Shoferi i automjetit “Porsche 911” që shkaktoi aksidentin fatal dhe nuk vuajti asnjë ditë burg mësohet se është Vullnet Gashi, djali i biznesmenit kosovar, Burim Gashi, i cili njihet për lidhjet e tij me politikanë të fuqishëm në Kosovë. Në raportin e Policisë së Kosovës për aksidentin, u tha se nga pakujdesia i dyshuari goditi këmbësorin dhe pas intervistimit është liruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore