Kosova

Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për Nagip Krasniqin


Nagip Krasniqi, Kryeshef në KEK

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, ndaj të pandehurit Nagip Krasniqi.

Kjo, për shkak, siç njofton mediet prokuroria, “të dyshimit të bazuar se i  njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’  nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK,  ‘’Ushtrimi i ndikimit’’  nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.

Ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, Nagip Krasniqi i cili udhëhoqi pozitën e Kryeshefit në Korporatën Energjetike të Kosovës, u arrestua një ditë më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Emri i Krasniqit u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.

Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.

“Nuk kam pasur takim me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Unë gjitha takimet fillimisht i bëjë në ambasadë. Jam shumë i gëzuar që kam pas mundësin ta shpjegoj një shpifje të madhe që është bërë”, pati thënë Berishaj.

Krasniqi po ashtu ishte akuzuar nga kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, se rënia e Bllokut A3 dhe A5 është bërë qëllimshëm, por ky i pari e kishte mohuar një gjë të tillë.

Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.

Ndërsa këtë të mërkure kur u prangos, Krasniqi gjatë arrestimit i ka kërkuar Policisë së Kosovës që të dërgohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sepse nuk po ndjehej mirë.

Por, në momentin që u dërgua, ai refuzoi të kontrollohej.

Siç i ka treguar Albanain Post-it, Naser Syla, ai erdhi nën shoqërimin e policisë në QKUK, por më pas nuk donte që të kontrollohej nga mjekët

Ndryshe, emri i Nagip Krasniqit është përmendur në media edhe më parë në hetimet nga Njësia për Krime Ekonomike që janë zhvilluar disa vite më parë në KEK.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore