Lajme

Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për kreun e “Mbrojtjes Civile” të arrestuar në Veri


Moment nga arrestimi i Milun Miletkoviç

U arrestua një ditë më parë nga Policia e Kosovës.

Milum Milenkoviç i njohur me nofkën Llune, si një nga krerët e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile”, u arrestua nën dyshimet se ka kryer disa vepras penale, ndër to edhe sulmin ndaj forcave të KFOR-i më 29 maj.

Për Milenkoviç i cili aktualisht është në mbajtje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu ka thënë për Albanian Post se kërkesa është bërë këtë të martë.

“Kërkesa është bërë gjatë ditës së sotme, tani Gjykata vendos se ku do të mbajë seancën për këtë rast”, ka thënë Lutfiu.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, ka deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, pas arrestimit.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se “arrestimi i personit të kërkuar” ndodhi rreth orës 12:00 në sheshin Car Llazar në Mitrovicë të Veriut.

Gjatë arrestimit ai ka rezistuar, me c’rast është lënduar ai dhe një zyrtar policor.

“Personi i dyshuar me qëllim të shmangies së arrestimit të tij ka rezistuar dhe si pasojë e kësaj lëndime trupore ka pësuar një zyrtar policor dhe i dyshuari të cilët kanë pranuar tretman mjekësor”.

Arrestimi tij indinjuar serbët lokalë, të cilët janë grumbulluar në rrugët e Mitrovicës së Veriut.

“Lidhur me rastin, pas operacionit policor një turmë e personave të dyshuar deri më tani të pa identifikuar, kanë sulmuar me gurë dhe me mjete të forta njësitet policore të Rendit Publik dhe veturat e policisë”, thuhet në raportin 24 orësh ët Policisë së Kosovës.

“Si pasojë e sulmeve lëndime trupore kanë pësuar tre zyrtarë policorë të cilëve iu është ofruar tretman mjekësor, po ashtu janë dëmtuar edhe tri vetura të Policisë së Kosovës”.

Prokurori i shtetit është duke bërë hetime për zhvillimet e fundit, ku pësuan lëndime zyrtarët policorë.

“Mbrojtja Civile” s’u shua në Veri as pas 7 viteve që u arrit marrëveshje në Bruksel, pjestarët e këtij grupi kriminal sulmuan ushtarët e KFOR-it

Gjithçka mori të tatëpjetën me 26 maj kur Qeveria e Kosovës – pa koordinim me ndërkombëtarët – vendosi që, të shoqëruar nga policia, të fusë tre kryetarët shqiptarë në objektet komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Serbët lokalë protestuan të premten, por situata nuk eskaloi.

Të hënën, kur protestuesve iu bashkuan banda huliganësh nga Veriu, shpërtheu protesta dhe përfundimi ishte rreth 40 ushtarë të KFOR-it të lënduar, meqë ata krijuan kordon mes protestuesve dhe policisë.

Nga kjo ditë, shpërthime më nuk ka pasur, por gjendja s’është shtensionuar akoma.

Përkundër se ishin protestuesit që përdoren dhunën, spektri diplomatik e ka bërë kryesisht fajtore qeverinë e Kosovës për zhvillimet, pikërisht për faktin që morën hapa të pakoordinuar me ta.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën, në një konferencë për media doli me propozim pesë pikesh për shtensionim në Veri.

Të përmbledhura pesë pikat e Kurtit janë që “Të sundojë ligji në Veri, të bëhet identifikimi dhe ndjekja penale e anëtarëve të bandave kriminale, këto grupe të tërhiqen nga Veriu, të bëhet sigurimi i terrenit bashkë me policinë, KFOR-in dhe EULEX-in dhe në fund të shapllet data e zgjedhjeve”.

“Kjo është oferta ime, unë pres përgjigje”, tha Kurti, duke deklaruar gjithashtu se do të donte takim gjatë kësaj jave në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore