Lajme

Prokuroria serbe: Po i rishikojmë deklaratat e Radojiçiç-it për sulmin terrorist në Banjë


Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka njoftuar se është ende duke e hetuar sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit që ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar e ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Prokuroria ende është duke e kontrolluar dëshminë e të dyshuarit Milan Radojiçiç, i cili ka dhënë deklaratë në fillim të tetorit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Euro News Serbia.

Në përgjigje thuhet po ashtu se Prokuroria në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Drejtorinë Doganore po mbledhin provat për të përcaktuar origjinën e armëve dhe kanalet përmes të cilave kanë mbërritur në Kosovë.

Ndryshe, më 7 dhjetor të vitit të kaluar, Organizata ndërkombëtare policore “INTERPOL”, ka lëshuar një urdhër-arrest për kryekriminelin Radoijçiç dhe 11 persona të tjerë për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.

Urdhri është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (OKB), UNIMK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Radojiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

Radojiçiç kishte arritur që pas sulmit terrorist të arratisej në Serbi.

Ndërsa, në fund të shtatorit të vitit të kaluar, Policia e Kosovës kishte konfiskuar vilën e tij në liqenin e Ujmanit, ndërsa në të njëjtën kohë ka kontrolluar pronën e tij në pjesën Veriore të vendit, ku ishin sekuestruar edhe disa vetura dhe sende të tjera.

Radojiçiç, i cili është person i afërt i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, kishte qenë deri para pak kohe nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit.

Mirëpo, në ditën që mori përsipër sulmin terrorist të 24 shtatorit, ai njoftoi dorëheqjen e tij.

Nga ana tjetër, Serbia, jo që nuk është distancuar nga ky sulm terrorist, por edhe ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore