Lajme

Prokuroria kërkon paraburgim për burrin që dyshohet se vrau gruan në Llaushë


Ilustrim.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin S.Q, i cili dyshohet se vrau gruan e tij 48 vjeçare, të mërkurën e pesë janarit.

Nga prokuroria, përmes një komunikate për medie kanë thënë se, këtë masë po e kërkojnë për shkak të dyshimit të bazuar se “ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë“ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të KPRK, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Ilustrim.

Në kërkesën e prokurorisë e cila është dorëzuar në gjykatë, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari S.Q., ka vrarë bashkëshorten e tij.

“Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari S.Q., me datë 05 janar 2022 në fshatin Llaushë të Skenderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij me iniciale L.Q.,”.

Gjatë kësaj kërkese sqarohet se, “pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me viktimën, ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës”.

I dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit ditën e djeshme me datë 05 janar dhe gjendet në ndalim 48 orësh.

Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Më pesë janar, një grua është vrarë me armë zjarri në fshatin Llaushë të Skenderajt të mërkurën pasdite.

Si pasojë e plagëve, gruaja ka vdekur dhe i dyshuari është arrestuar derisa këtij të fundit i është sekuestruar edhe arma.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore