Shqipëria

Prokuroria e Shkodrës sekuestron 97 automjete, llogari bankari dhe biznese të Ago Gjolajt – I akuzuar për pastrim parash


Prokuroria e Shkodrës këtë të enjte të 18 prillit ka sekuestruar pasuritë e biznesmenit, Ago Gjolaj.

Kjo pasi ai dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Nga shqyrtimi i materialit kallëzues referuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Policinë e Shtetit rezulton se në bazë të informacioneve dhe dokumentacionit ka dyshime se ky shtetas merret me kontrabandimin dhe tregtimin e mallrave kontrabandë si dhe është evidentuar si pjesëmarrës në grup kriminal që merret me trafikimin e lëndëve narkotike.

Ai së bashku me dy vëllezërit e tij janë hetuar disa herë nga autoritet shqiptare madje edhe janë dënuar për vepra penale të ndryshme (kontrabandë, tregtim mallrash kontrabandë etj.).

Referuar të dhënave të grumbulluara deri tani Policia Gjyqësore ka dyshime të arsyeshme se pasuritë e e tij dhe familjarëve të tij nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhura të ligjshme.

Gjithashtu, Prokuroria ka regjistruar edhe procedimin penal për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pas referimit nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër.

Kjo e fundit është vënë në dijeni nga Zyra Kombëtare Interpol Tirana, se autoritetet e Malit të Zi kanë qenë duke hetuar shtetasen shqiptare S.Gj, subjekt i lidhur me Gjolajn.

Ajo më datë 12 prill të 2018-s ka nënshkruar një kontratë për blerjen e një jahti luksoz me vlerë treqind mijë euro nga shtetasi malazez S.J, i përfshirë në veprimtari kriminale dhe pastrim parash.

Në këto kushte, pas kërkesës së Prokurorisë Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit A.Gj, si dhe personave të lidhur me të.

Konkretisht, janë sekuestruar

1 – Shoqëria tregtare “B.M” SHPK, me Nipt: K68404706Q;

2 – Pasuritë e paluajtshme në pronësi të shoqërisë “B.M” SHPK, konkretisht, pasuria nr. 1155/8 ND2+N2, vol.28, fq.58, ZK.2105, Show Room, me sipërfaqe 199 m2; pasuria nr.1345/1, vol.10, fq.176, ZK.2221 indeks harte k-34-63 (95-D), adresa Koplik i sipërm, Rr.1, Malësi e Madhe dhe pasuria nr.37/4, vol.6, fq.69, ZK.1977;

3 – 97 automjete në pronësi të shoqërisë “B.M” Shpk;

4 – Gjendja aktuale në të gjitha llogaritë bankare (llogari rrjedhëse/depozita) në të gjithë bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë në emër të shtetasit A.Gj, shtetases S.Gj, si dhe të shoqërisë “B.M” SHPK.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore