Lajme

Prokuroria aprovon kërkesën e familjes Ademaj për rivarrosjen e Liridonës


Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka pranuar kërkesën e familjes Ademaj për zhvarrosjen e trupit të Liridona Ademajt, e cila u vra në mbrëmjen e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, përkatësisht në fshatin Bërnicë.

Ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të dielën masën e paraburgimit prej 1 muaji (30 ditë) ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e 30-vjeçares në kryeqytet.

Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës dhe organizatori i vrasjes, akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, dorasi i identifikuar nga Policia e Kosovës, Granit Plava, akuzohet për “vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kushtrim Kokalla, akuzohet për “marrëveshje për të kryer vrasje të rëndë”.

Në njoftimin e gjykatës të publikuar në “Facebook” të dielën, thuhet ndër të tjera se bashkëshorti i viktimës ia kishte siguruar edhe armën dorasit. Ademaj, sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë mbrëmjen e 29 nëntorit, ndërsa ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes për shkak të plagëve vdekjeprurëse.

Rrëfimet e babait dhe vëllait të Liridonës: Dyshojmë se vrasja e saj u bë për t’ia marrë paratë e sigurimit në Suedi

Tre të dyshuarit për vrasjen gjakftohtë të organizuar të 30-vjeçares e cila ka lënë pas vetes dy fëmijë, janë mbrojtur në heshtje në seancën para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa familjarët e viktimës nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancën e parë.

Kjo ngjarje e rëndë ka ngjallur shumë reagime, përfshirë nivelet e larta shtetërore dhe shoqërinë civile për shkak se krimi ka ndodhur pikërisht në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata kundër dhunës ndaj gruas.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë për të martën e 5 dhjetorit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë kundër dhunës gjinore dhe femicidit, kundër një shoqërie të zhytur në krim simptomatik ndaj grave. Në Kosovë janë raportuar mijëra raste të dhunës në familje gjatë këtij viti.

Për një dekadë mbi 50 raste të vrasjeve të grave nga bashkëshortët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore