Kosova

Projektrezoluta e Shqipërisë për Raportin e Dick Marty’it – Po ndodhi “mrekullia” dhe votohet në KiE, për Kosovën do jetë “fitore e madhe”


Dick Marty

Po të ndodhte “mrekullia” dhe projektrezoluta e Partisë Socialiste të dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë kundër raportit të Dick Marty, autorit të raportit të vitit 2010 me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i organeve në Kosovë”, të votohej në Këshillin e Evropës si rezolutë e propozuar nga Shqipëria, do të ishte një fitore e madhe për Kosovën, por kjo vështirë se mund të ndodhë thonë ekspertët juridikë për Albanian Post.

Po ashtu sipas tyre, tashmë jemi duke u ballafaquar me pasojat e raportit mbi bazën e të cilit janë ngritur edhe akuza kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët gjenden në Hagë të akuzuar për krime kundër njerizimit.

Avokati Granit Vokshi, thotë për Albanian Post se është dashur shumë më herët që të merret kjo iniciativë, “ndonëse e kuptoj logjikën e rezolutës e cila thirret në pabazueshmërinë e raportit për shkak se nuk janë vërtetuar pretendimet aty edhe pas kalimit të 12 viteve”.

Prandaj, ai thekson se ky veprim i PS-së më shumë është simbolik se sa përmbajtjesor.

Granit Vokshi

“E them simbolik pasi që aty do të artikulohet një qëndrim politik i një shteti anëtar të Këshillit të Evropës, mirëpo që ky artikulim sipas mendimit tim nuk do të ketë ndonjë efekt praktik. Kjo kështu, pasi që Dhomat e Specializuara tanimë janë fakt dhe ato janë të bazuara pikërisht në këtë raport”, potencon Vokshi.

“Besoj që shtetet anëtare do të hezitojnë që të bëjnë një “follow up report” – rishikim, dhe e gjithë kjo nismë do të përfundojë me një mbulim medial disa ditorë”.

Por, Vokshi vuri në pah se nëse “ndodhë ndonjë mrekulli” dhe shtetet anëtare të Këshillit të Evropës e votojnë këtë dhe pajtohen që të përgatitet një raport vijues, “kjo do të ishte një fitore e madhe”.

“Kjo pasi që sigurisht se raporti vijues do të gjejë se raporti i Dick Martyt asnjëherë nuk është vërtetuar me asnjë provë të vetme dhe është tërësisht i pabazuar në fakte”.

“Nëse kjo ndodhë, do të krijohej një situatë krejtësisht e re, që sipas meje do të impononte nevojën për veprim ligjor nga ana e Institucioneve të Kosovës. Ky veprim do të mund të ishte edhe zhbërja e Dhomave të Specializuara”.

Edhe për avokatin Anton Nrecaj, projektrezoluta është e mirë, por e vonë.

Ai thotë për AP se “tani me jemi para aktit të kryer”.

Anton Nrecaj

“Gjykata Speciale është krijuar dhe rastet veçse janë duke u trajtuar. Na ka ikur treni para 10 viteve”.

Nrecaj, e konsideron “mision të pamundur” që projektrezoluta në fjalë të kalojë Paralamentin Evropian.

Por, profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, shpreson që projektrezoluta mund të ketë efekt, duke e përmendur edhe një rast konkret që kishte ndodhur në vitin 2014.

“Në vitin 2014 ka ndodhur një raport vijues për strategjinë si me ndalu racizmin dhe jo tolerancën në Evropë, ku janë shtuar dy paragrafë, për shkak të rritjeve të partive të djathta në atë kohë në Evropë”, tha Arifi për AP.

Dritëro Arifi

Prandaj, ai mendon që edhe në ketë rast në momentin që dorëzohet projektrezoluta dhe konstatohet që raporti nuk ka fakte për trafikimin e organeve në Kosovë, mund të rishikohet dhe mund të shtohen paragrafë që tregojnë që kjo pikë nuk është e vlefshme në këtë raport.

“Po besoj që mund të arrijnë që raporti të plotësohet me gjetjet se nuk ka pasur trafikim të organeve”, vlerëson Arifi.

Shqipëria e angazhuar

Më 22 qershor 2022, ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai i cili bëri me dije se Tirana do t’i drejtohej Këshillit të Evropës në Strasbourg, lidhur me pabazueshmërinë e raportit të Dick Martyt.

“Ne jemi duke përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë dhe do të shkoj personalisht në Strasbourg, në rastin më të parë, shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Evropës për një fakt, i cili bëhet gjithnjë e më shqetësues, që është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Marty-t”, zbuloi fillimisht Rama asokohe.

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut është një institucion brenda Këshillit të Evropës.

Rama bëri me faj influencën ruse mbi “përrallën e një shtëpie të verdhë dhe trafikut të organeve”.

“Duke pasur parasysh që akuza e trafikut të organeve është e përsëritur nga ana e influencës ruse, si dhe duke pasur parasysh se në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nuk ka as edhe një fakt të lidhur me Dick Marty-n dhe raportin e tij, ishte shkaku pse u mor gjithë rruga për të shkuar te Gjykata Speciale”, shtoi kryeministri.

Sipas tij, për këtë dikush duhet të hapë veshët dhe të dëgjojë, pasi ai tribunal është projektuar për t’i dhënë përgjigje akuza të Dick Marty-t.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore