Pajisje

Projektori portativ i Samsung-ut që i kthen sipërfaqet në një televizor inteligjent


Televizorët e kompanisë teknologjike Samsung janë bërë shumë më të lëvizshëm.

Në gamën e vet të linjës, kompania ka shtuar Freestyle-in, një projektor-televizor inteligjent ultraportativ.

Faqja “The Verge” e të rejave teknologjike tregon se Freestyle-i peshon më pak se 900 gram. Ai posedon një mbajtës prej 180 gradë dhe mund të projektojë përmbajtje në mure, ekrane ose kudo tjetër nga 30 deri në 100 inç.

Ndërkohë, projektori përmban rezolucion 1080p, si dhe aftësi për fokusim automatik dhe nivelim automatik për të lidhur automatikisht imazhin e vet me çdo sipërfaqe.

Ai ka qasje në platformën e televizorit inteligjent të Samsung-ut, kështu që përdoruesit do të jenë në gjendje të transmetojnë Netflix-in dhe ta projektoni atë kudo ku dëshirojnë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pajisja pritet të kushtojë 899 dollarë dhe aktualisht është e disponueshme për porositje paraprake në faqen zyrtare të kompanisë në internet.

Përpos projektorit, Samsung-u po ofron edhe aksesorë të ndryshëm për të përmirësuar përvojën me pajisjen.

Ato përfshijnë lente që mund të krijojnë ndriçim më të pëlqyeshëm, një kuti hidroizoluese për përdorim të jashtëm dhe një bateri portative USB-C për projektim pa prizë.

Historikisht, projektorët portativë, ndonëse të lezetshëm dhe kompakt, shoqërohen me disa anë negative.

Ata priren të jenë relativisht të zbehtë në krahasim me televizorët standardë apo edhe me projektorët tradicionalë. Madje, shpesh kanë nivele më të ulëta të cilësisë së imazhit, që do të thotë se mund të mos arrijnë as 1080p, jo më rezolucionin 4K.

Teksa janë të lëvizshëm, shumë ende duhet të futen në prizë. Kurse të tjerë me bateri ose me aftësinë për të përdorur një paketë baterie, kanë tendencë të zgjasin vetëm disa orë.

Por Freestyle-i i Samsung-ut ofron rezolucion të plotë HD.

Ai është pjesë e markës Lifestyle të kompanisë, e cila është shtëpia e disa prej produkteve më ambicioze dhe më të shtrenjta të prodhuesit të televizorëve, duke përfshirë The Frame Art TV dhe Terrace TV, i cili është krijuar posaçërisht për ambiente të jashtme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore