Kosova

Projektligji për KPM-në në zyrën e Kurtit – “LVV-ja injoroi rekomandimet e KiE-së, shkelen në mënyrë flagrante standardet e BE-së”


Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ka thënë se Projektligji i ri për Komisionin e Pavarur për Media është dërguar në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe se qëllimi i tij është “kontrollimi i mediave dhe kapja e KPM-së”.

“Projektligji është draftuar nga Zyra e Kryeministrit Kurti. Qëllimi i ndryshimit të këtij projektligji është kontrollimi i mediave online dhe kapja politike e KPM-së. Nuk ka asnjë qëllim tjetër”, ka shkruar Kusari në Facebook.

“Së bashku me AGK dhe KSHMK patëm thirr konferencë për shtyp në të cilën patëm thënë që projektligji shkelë në mënyrë flagrante standardet e Këshillit te Evropës, Bashkimit Evropian dhe OSBE”, shtoi.

Sipas saj, përgjigja e deputeteve të LVV-së ka qenë dhe “kjo është dezinformat”, por Kusari e mohon një gjë të tillë.

“Këshilli i Evropës pasi gjeti që projektligji devijonte nga standardet evropiane, fjala devijim përdoret në analizë, përmes një analize ligjore pati ofruar 12 rekomandime për të përmirësuar projektligjin”, theksoi ajo.

“Pra, reagimi jonë nuk ishte dezinformatë por një ekspertizë e nivelit superior. Po ashtu, Forumi për Integritet te Informacionit i pati dërguar Komisionit për Media komente për të përmirësuar draftin”, potencoi Kusari.

Tutje, ajo ka theksuar se Komisioni për Media e kishte mundësinë që duke i adresuar rekomandimet e Këshillit të Evropës, të draftonte një ndër ligjet më të mira në Evropë.

“Sot Komisioni për Integrim Evropian në parlament do ta diskutojë dhe me siguri do ta aprovojë brenda 30 sekondave projektligjin, ndonëse ka opinion ligjor zyrtar nga Këshilli i Evropës thotë që projektligji nuk është në pajtim me standardet evropiane.

 

Çfarë thuhet në Projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media?

Me Projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media, Qeveria e Kosovës, në mënyrë indirekte përmes KPM-së do t’i kontrollojë, t’i monitorojë dhe në rast nevoje edhe t’i ndëshkojë mediat online që ofrojnë përmbajtje të videove.

Në Kosovë, KPM deri më tani ka rregulluar televizionet, radiot dhe operatorët kabllor, ndërkaq mediat e shkruara/online janë vetë-rregulluar nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës – një praktik e përhapur gjithandej në rajon e Evropë.

Por, një gjë e tillë do të ndryshojë në momentin që iniciativa ligjore e hartuar nga ekzekutivi kosovar të hyjë në fuqi në Kuvend me votën e deputetëve.

Ngase mediat online, do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror e paraparë në nenin 24 të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media.

Një ndryshim i tillë u cilësua si “radikale” nga ana e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili kërkoi që Qeveria të heqë dorë nga ky projektligj, ngase sipas AGK-së, ky projektligj është “tentativë” për kontroll shtetëror të mediave online.

Me projektligjin në fjalë mediat online përveç licencimit shtetëror do të detyrohen edhe të regjistrohen në regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja.

Mediat online, sipas kësaj iniciative ligjore, do të mund edhe të gjobiten deri në 40 mijë euro, gjobë kjo që sipas AGK-së mund të arrijë të mbyllë secilin medium online që operon në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore