Shqipëria

Projektbuxheti në ‘derë’ të Kuvendit – A do miratohet sot?


Seancat e javëve të fundit në Kuvendin e Shqipërisë kanë qenë të pazakonta, të zhvilluara mes kaosit.

Kjo, duke filluar nga prishja e rendit e deri te hedhja e tymuesve në sallë.

Puna në komisione po ashtu është zhvendosur kryesisht online, duke qenë se deputetët opozitarë nuk po lejojnë zhvillimin në person të mbledhjeve.

Po sot? Çfarë do të ndodhë?

Këtë të hënë të 20 nëntorit, pritet të kalojë një nga draftet më të rëndësishme për t’u votuar në Kuvend.

Bëhet fjalë për projekt-buxhetin 2024, për të cilin opozita ka shprehur rezervat e saj.

Seanca, sipas njoftimit të Kuvendit pritet të nis në orën 10:00, ku janë të parashikuara dhe diskutime. Kështu, në kushte normale.

Ndryshe, opozita ka paralajmëruar se do të bllokojë punimet.

Ama, mazhoranca ka gjasa mos të tërhiqet. Ashtu si në seancat e fundit plenare, ku projektligjet kanë kaluar mes zhurmës, në këmbë dhe pa vota kundër.

Ekzistojnë tre skenarë të mundshëm: të shtyhet seanca, të votohet në “tym” ose të spostohen në një sallë tjetër.

Këto mbeten supozime, por se çfarë do të ndodhë pritet të shihet në orët në vijim.

Dy ditë më parë ishte vetë ish-kryeministri, Sali Berisha që bëri me dije se nuk do të ketë zhvillim normal të punimeve, pasi aksioni i 43 deputetëve të opozitës nuk do të ndalet.

Arsyetimi lidhur me këtë aksion, për Berishën, lidhet me mohimin e të drejtave kushtetuese, që i ka bërë kryeministri Edi Rama opozitës.

“Rama konfirmon publikisht vendosjen e diktaturës së bandave në Shqipëri përmes veprimeve të tij, konfirmon një diktator që nuk respekton ligje, votë, kushtetutë”, përshkroi Berisha në komunikim.

Më tej, ai përsiati se 43 deputetë të opozitës janë angazhuar në një betejë pa kthim në Parlament, “sepse Rama ka urdhëruar konfiskimin e të drejtave të tyre themelore politike”.

Nuk do ishte e pazakontë. Skena nga më të ndryshmet janë parë përgjatë muajit.

Pamje të paprecedente u panë gjatë javës së shkuar, kur një grup deputetësh demokratë u futën në zyra nga dritaret, pasi nuk lejoheshin nga Garda të aksesonin kryesinë, si pasojë e pezullimit që kishin marrë me vendim të Komisionit të Etikës.

Kjo gjithsesi nuk i ka ndaluar deputetët e opozitës të hyjnë edhe online në mbledhjet e komisioneve, pavarësisht se i kanë quajtur ato “të jashtëligjshme”.

Shkak duket se janë bërë edhe dietat që ata përftojnë me pjesëmarrjen në komisione.

Përkundrazi, kur Komisioni i Ekonomisë pati ndër seancat më të rëndësishme të vitit, atë të prezantimit të projekt-buxhetit 2024, ata shkaktuan rrëmujë në salla dhe “detyruan” mazhorancën të ndërpriste seancat dhe të kalonte në zhvillimin online të mbledhjeve.

Çfarë parashikon projekt-buxheti?

Kujtojmë se ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete ka bërë prezantimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2024” .

Ai bëri me dije se “ne parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm”, duke e konsideruar si “një balancë primare pozitive, konsolidim të mëtejshëm fiskal, rritje të punësimit dhe ulje të inflacionit”.

“Duke mbështetur rritjen e pagave dhe duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur nga qeveria për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Projektbuxheti parashikon një fond prej 11 miliardë lekësh për rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qëndrore dhe vendore”.

Në total, theksoi Mete “efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë”.

“Gjithashtu financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33%, 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj”.

Sipas ministrit, financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë mbi 5% të PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin.

“Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit. Projektbuxheti vijon të financojë procesin e rindërtimit, në vijim edhe të mbështetjes së dhënë përmes Aktit Normativ”.

Ndër të tjera ai tha se “respektohet niveli i kërkuar lidhur me angazhimet e anëtarësimit në NATO, me 2% të PBB-së në vitin 2024 dhe kjo arrihet për herë të parë”.

“Rritet ndjeshëm buxheti në dispozicion për njësitë e pushtetit vendor, ku për vitin 2024 shpenzimet parashikohen të jenë 71 miliardë lekë, ose 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023. Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qëndrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë”.

Në daljen e tij, ai theksoi se nuk do të ketë  prekje të TVSH-së në sektorin e arsimit dhe në shërbimet financiare.

Sa i takon akcizës, Mete tha se nisur edhe nga niveli i inflacionit në këto dy vite, është vendosur një tavan prej 1.5% indeksim çdo dy vite.

Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj mbledhjen e ka konsideruar si jo normale, pasi opozita nuk është pjesëmarrëse.

“Mos e shndërroni Parlamentin në një burg. Nuk është një segment për mazhorancën dhe opozita të rrijë përtej mureve. Ajo është e barabartë në këtë institucion. Ky është një skandal i vërtetë. Keni përgjegjësi, Kjo ndodh vetëm në vendet autoritare ku opozita rrethohet me gardistë. Ky nuk është Parlament normal, kjo nuk është sallë normale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore