Lajme

Programet e nënshtetësisë së investitorëve shqetësojnë ende KE-në


Qasja pa viza në vendet e Bashkimit Evropian nuk duhet të përdoret si një mall komercial për t’u shitur dhe blerë, ka thënë Komisioni Evropian, duke shprehur shqetësime për skemat e qëndrimit të investitorëve dhe shtetësisë.

Në raportin e tij të gjashtë nën Mekanizmin e Pezullimit të Vizave, Komisioni Evropian tha se është veçanërisht i shqetësuar për programet e nënshtetësisë së investitorëve që “promovohen komercialisht” duke ofruar qasje pa viza në bllok.

Raporti vjetor që është lëshuar nga Komisioni që nga viti 2017 mbulon shtetet që kanë një dialog për liberalizimin e vizave nga Ballkani Perëndimor dhe Partneriteti Lindor, si dhe vendet në Paqësor dhe Karaibe që operojnë skema të tilla.

Në raportin e saj të fundit, BE-ja konsideroi se programe të tilla nuk janë në përputhje me parimet dhe kushtet në bazë të përjashtimit të vizave dhe, për rrjedhojë, mund të paraqesin rreziqe sigurie për BE-në dhe shtetet e saj anëtare.

“Qëllimi i marrëveshjeve për heqjen e vizave është të lehtësojë kontaktet e njerëzve ndërmjet BE-së dhe një vendi të tretë, jo t’u mundësojë shtetasve të vendeve të treta të tjera të kërkuara për viza të anashkalojnë procedurën e vizave afatshkurtër të BE-së përmes marrjes së shtetësisë”, thekson KE-ja.

Shqetësimet në lidhje me skemat e rezidencës dhe shtetësisë së investitorëve që u lejojnë të huajve të fitojnë vendbanimin dhe shtetësinë në vendet që ofrojnë programe të tilla janë ngritur gjithashtu nga Parlamenti Evropian në rezolutën e tij të datës 9 mars 2022, me propozime për Komisionin për Shtetësinë dhe Qëndrimin nga Programet e investimeve.

“Rezoluta i bëri thirrje Komisionit të ushtrojë sa më shumë presion që të jetë e mundur për të siguruar që vendet e treta që kanë skema të shtetësisë së investitorëve dhe që përfitojnë nga udhëtimi pa viza sipas Aneksit II të Rregullores (BE) 2018/1806, t’i shfuqizojnë ato skema, dhe të paraqesë një propozim për ndryshimin e nenit 8 të Rregullores (BE) 2018/1806 për të përfshirë funksionimin e skemave të shtetësisë së investitorëve si bazë për pezullimin e përjashtimeve nga vizat”, vijon Komisioni në raportin e tij.

Programi i Rezidencës me Investim, i njohur si Programi i Vizave të Arta, u jep ndërkombëtarëve të pasur mundësinë për të marrë rezidencën në vendet që drejtojnë programe të tilla në këmbim të një kontributi financiar.

Në të njëjtën kohë, Skemat e Shtetësisë nga Investimet, të njohura si programet e Pasaportës së Artë, i dedikohen atyre që dëshirojnë të marrin nënshtetësinë në vendet evropiane që ofrojnë mundësi të tilla.

Përkundër faktit se këto programe sjellin kontribute të konsiderueshme financiare për shtetet që i kanë prezantuar, ato shpesh kanë qenë në qendër të vëmendjes së shumë aferave të paligjshme dhe për përfshirjen në disa afera të paligjshme si evazioni fiskal, korrupsioni dhe pastrimi i parave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore