Pajisje

Profecitë e Bill Gates për vitin 2024: Pikë kthese për klimën dhe shëndetin


Nuk mund të fillojmë një vit të ri pa letrën e Bill Gates për të ardhmen.

Themeluesi i Microsoft-it ka bërë të ditur më të fundit në një seri të gjatë profecish.

Për Bill Gates, viti 2024 do të jetë një pikë kthese për inovacionin, inteligjencën artificiale, klimën, shëndetin dhe për ekuilibrin botëror.

Nuk është hera e parë që ai bën parashikime për të ardhmen.

Kohët e fundit ai parashikoi se “do të arrijmë në një shoqëri ku do të na duhet të punojmë vetëm tre ditë në javë” falë inteligjencës artificiale.

Në vitin 2015 ai foli për një pandemi të mundshme.

Me pak fjalë, njeriu që revolucionarizoi kompjuterët personalë nuk u përmbajt në vizionet e tij për të ardhmen.

Por çfarë ka planifikuar ai për vitin e ri?

Hulumtimi, shëndeti dhe inteligjenca artificiale. Sipas Bill Gates, në vitin 2024 rruga e ndjekur tashmë këtë vit do të forcohet. Prandaj do të shohim zhvillime të rëndësishme të inteligjencës artificiale në mjekësi.

Një shembull është kërkimi i një zgjidhjeje për rezistencën ndaj antibiotikëve, një problem që prek të gjithë botën, veçanërisht Afrikën.

Puna ka nisur tashmë: një qendër kërkimore në Ganë, Instituti Aurum, po punon për një inteligjencë artificiale që do t’i ndihmojë mjekët të përshkruajnë antibiotikët më të përshtatshëm për çdo pacient, të kompletuar me indikacione specifike terapeutike.

Në këtë mënyrë do të reduktohet keqpërdorimi i medikamenteve.

Jo vetëm kaq: inteligjenca artificiale do të ndihmojë gjithashtu në trajtimin e shtatzënive me rrezik të lartë, në parandalimin e infeksionit HIV dhe do të ndihmojë punonjësit e kujdesit shëndetësor të krijojnë të dhëna mjekësore për pacientët e tyre.

Edhe një herë, Gates mbron inteligjencën artificiale.

Në maj ai ka thënë se teknologjitë e reja mund të jenë një rrezik, por që mund të menaxhohet.

“Jemi afër momentit kur do të realizohet një nga bastet e mia më të mëdha: përdorimi i njohurive për florën e zorrëve për të parandaluar dhe trajtuar kequshqyerjen”.

Do të ketë edhe një zbulim tjetër të madh shkencor sipas Gates.

Dhe nuk është fantashkencë.

Kërkimet mbi Bifidobacterium infantis (një bakter që ndihmon të porsalindurit të thithin lëndët ushqyese në qumështin e gjirit) po përparojnë.

Provat klinike janë gati të hyjnë në fazën e tretë.

Qëllimi është të krijohet një version pluhur i mikroorganizmit, i cili më pas mund të shtohet në qumështin për të sapolindurit.

“Duke luftuar kequshqyerjen, ne mund të reduktojmë një nga shkaqet më të mëdha të vdekshmërisë foshnjore”, ka thënë ai.

Pas një COP28, konferencës së klimës që sapo është mbyllur në Dubai, të cilën Gates e përcakton si “produktive dhe stimuluese”, e ardhmja e klimës do të përcaktohet nga energjia bërthamore.

Ai ka një “po” për zgjerimin e energjive të rinovueshme, por “udhëheqësit duhet të pranojnë se ato duhet të shoqërohen nga diçka më e besueshme. Dhe kjo diçka përfshin energjinë bërthamore”.

Për miliarderin, e ardhmja e energjisë së gjelbër mund të jetë edhe shkrirja bërthamore.

“Në vitin 2024 dhe më tej, parashikoj që risi të shumta do të vijnë në treg, madje edhe në fusha të komplikuara si ato bërthamore”.

Nuk është hera e parë që Gates interesohet për krizën mjedisore.

Financimi i fundit i tij (dhe ndoshta një nga më të veçantat) ka qenë në fillim të vitit 2023, kur ai financoi një startup që merret me reduktimin e metanit të prodhuar nga lopët.

Ndërkohë, viti 2024 do të jetë një vit zgjedhor në shumë vende të globit.

Thuajse katër miliardë njerëz do të shkojnë në kutitë e votimit për të rinovuar Parlamentin (si ai evropian), për të votuar për një president ose kryeministër të ri ose të vjetër, ose për të zgjedhur poste të tjera institucionale.

“Teksa zgjedhjet e çdo viti janë të rëndësishme, numri i njerëzve që do të votojnë në vitin 2024 do të thotë se rezultatet do të kenë një ndikim të madh në të ardhmen e botës sonë”, ka komentuar Gates në letrën e tij të fundvitit.

“Viti 2024 do të jetë një pikë kthese si për kujdesin shëndetësor, ashtu edhe për klimën. Vendimet që do të marrin liderët e zgjedhur do të përcaktojnë se sa përparim do të vazhdojmë të bëjmë në secilën prej këtyre fushave”.

Edhe nëse ai ka folur tashmë për këtë në të kaluarën, i kthehet temës së pandemisë.

“Ne nuk jemi aq të gatshëm për pandeminë e ardhshme sa shpresoja se do të ishim në këtë pikë”, deklaron filantropisti i dëshpëruar.

Në vitin 2015 ai kishte parashikuar shpërthimin e një epidemie globale.

Parashikim i bazuar në prova shkencore , por që gjatë viteve të Covid-it kishte shkaktuar teori të ndryshme konspirative mbi përhapjen e pretenduar të virusit që ai vetë krijoi.

“Tani është koha për ta bërë prioritet përgatitjen për pandeminë e ardhshme, para se të jetë tepër vonë”, ka theksuar ai.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore