Lajme

Produktet bazë më lirë për 10 për qind në Maqedoninë e Veriut, Qeveria ua liron rrymën kompanive


Kompanitë që prodhojnë produktet ushqimore bazë do të paguajnë energji elektrike me çmim më të lirë, me çmim fiks 80 euro për megavat orë dhe me këtë pritet që çmimi final i produkteve bazë të ulet për më sa paku 10 për qind.

Kjo është një prej masave që Qeveria e miratoi në seancën e së dielës, ka bërë të ditur kryeministri i Maqedonisë Veriore, Dimitar Kovaçevski, shkruan Alsat M.

“Vendimi i Qeverisë ka të bëjë me kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë ku bëjnë pjesë prodhuesit e vajit për gatim, bukës dhe prodhimeve të miellit, prodhuesve të miellit, qumështit dhe produkteve qumështore, industria e mishit”, tha Kovaçevski.

“Me këto masa kompanitë, prodhuesit e produkteve ushqimore bazë do të kenë energji stabile dhe më të lirë që në fund do të ndikojë në stabilizimin e çmimeve të produkteve finale që prodhohen dhe shiten nga këto kompani”.

Masat e Qeverisë përfshijnë edhe ndërmarrjet publike për furnizim me ujë të pijshëm të cilat do të furnizohen me energji elektrike me çmim fiks prej 95 euro për megavat orë, me qëllim që të mos rritet çmimi i faturave të ujit për qytetarët.

Ndërsa ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, theksoi se nëse edhe pas kësaj mase konfirmohen keqpërdorime me çmimet, nuk përjashtohet mundësia që tek ato veprimtari të ketë ngrirje të tërësishme të çmimeve.

Pjesë e masave të Qeverisë janë po ashtu edhe shkollat fillore dhe të mesme, ku parashihet që pas shpalljes së gjendjes së krizës energjetike, mund të lidhin marrëveshje për furnizim me energji elektrike me çmim fiks prej 95 euro për megavat orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore