Lajme

Problemi me Referendumin serb: Qeveria thërret seancë të jashtëzakonshme për të shtunën


Kuvendi i Kosoves

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se do të thërras seancë të jashtëzakonshme për të shtunën e 15 janarit me fillim në orën 14:00.

Kurti, në një prononcim të shkurtër për media, pas takimit me ambasadorët e QUINT-it, pjese e të cilit, ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, tha se më vonë do të dalin të tri institucionet me një deklaratë të përbashkët për media, për të sqaruar më shumë rreth takimit të mbyllur me ambasadorë.

Albin Kurti pas takimit me ambasadoret e QUINT-it

“Pas këtij takimi të tri institucionet, presidenca qeveria dhe kryeparlamentari  do të dalim me një komunikatë të përbashkët dhe pas kësaj do të mund t’iu përgjigjemi pyetjeve tuaja”, deklaroi Kurti.

“Unë po shkoj në kryeministri që ta përgatisë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për nesër në orën 14:00”.

Referendumi që pritet të mbahet me 16 janar, të dielën, në Serbi ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese atje. Qeveria deklaroi para disa ditësh që nuk do të lejohet mbajtja e këtij Referendumi edhe në territorin e Kosovës.

Në anën tjetër, shtetet e QUINT-it, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga qeveria që të mos ndalohet votuesi serb i Kosovës të votojë në referendum.

Gjithashtu, kanë përmendur organizimin e vendvotimeve nga OSBE-ja në Kosovë.

Mospajtimi ka bërë që të organizohet një takim urgjent mes Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Glauk Konjufcës me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore