Lajme

Andrija Mandiç zgjidhet kryetar i Kuvendit të Malit të Zi


Kryetari i Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiç dhe një nga liderët e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit te Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb, është zgjedhur kryetari i Kuvendit të Malit të Zi.

Në votimin e fshehtë, 49 deputetë votuan për zgjedhjen e Mandiçit, ndërsa asnjë votë nuk ishte kundër.

Mandiç pasi e ka bërë betimin si kryetari i ri i Kuvendit theksoi se “do ta kryej detyrën time sipas Kushtetutës dhe ligjit, me nder, me përgjegjësi dhe ndërgjegje”.

“Askush nuk është më i rëndësishëm se njerëzit dhe vendi i tij. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për dialog. Duhet të fillojmë t’i besojmë njëri-tjetrit. Shpesh këto ditë sondazhet e opinionit publik tregojnë se politikanët janë më pak të besuar. Ky është një problem”, shtoi ai.

“Është detyra jonë të miratojmë ligjet që populli po e kërkon dhe që i duhet Malit të Zi. Kjo duhet të bëhet shtëpi e fjalëve argumentuese”.

Koalicioni “Për të Ardhmen e Malit të Zi (ZBCG)”, përbëhet nga ish-përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF) pro-serb e pro-rus.

Demokracia e Re Serbe (NSD) dhe Partia Popullore Demokratike (DNP), angazhohen për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe tërheqjen nga NATO-ja.

Tani pritet që Mandiç ta caktojë seancën e re të Kuvendit në të cilën do të zgjidhet Qeveria e 44-të e Malit të Zi.

Kryeministër i ri i Malit të Z do jetë Milojko Spajiç – si fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit.

Spajiç pati arritur marrëveshje me partitë pro ruso-serbe, si dhe ato shqiptare për të formuar qeverinë që do të udhëhiqet nga ai.

Ai në pozitën e kryeministrit të Malit të Zi, do ta zëvendësojë Dritan Abazoviç-in – i cili, me partinë që e udhëheqë, Lëvizjen Qytetare URA, së bashku me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe me deputetët boshnjakë do të jenë në opozitë.

Spajiç kishte theksuar se “vizioni ynë është Mali i Zi si Zvicra e Ballkanit dhe Singapori i Evropës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore