Sport

Pritet të pezullohet gjyqtari i ndeshjes Milan – Spezia


Marco Serra bëri një referim skandaloz në ndeshjen Milan – Spezia, e cila përfundoi me rezultat 1:2 në favor të këtyre të fundit.

Serra anuloi një gol të vonshëm të futbollistit të Milan-it, Junior Messias, duke i dhënë një goditje dënimi atyre pa luajtur avantazhin.

Zyrtari i ndeshjes bëri vërshëllimën e fundit përpara se Messias të godiste topin, duke e dërguar atë në rrjetë.

Me të përfunduar ndeshja, kuqezinjtë morën kërkim falje nga Shoqata e Arbitrave të Italisë (AIA), si dhe nga vet protagonisti i këtij takimi.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, AIA i ka kërkuar falje Milan-it dhe gjyqtari Marco Serra do të përballet me një pezullim të gjatë pas gabimeve skandaloze që bëri.

Gjithashtu edhe trajneri i Milan-it, Stefano Pioli, pranoi se Serra u kërkoi falje lojtarëve të tij dhe i erdhi keq për të pranuar se përgjegjësia për humbjen e Diavoli-t duhet të ndahet mes lojtarëve të tij dhe arbitrit.

Derisa trajneri i Spezia-s, Thiago Motta nuk komentoi aspak arbitrin, por tha se ekipi i tij luajti shumë mirë dhe e meritoi fitoren.

Kujtojmë që një fitore eventuale e Milan-it do të vlente shumë, pasi që ata do të rrëmbenin vendin e parë, duke parakaluar Inter-in.

Tani kuqezinjtë mbeten përsëri në vendin e dytë me 48 pikë, dy më pak se rivalët e tyre për titull, të cilët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore