Sport

Prishtina fiton dhe bind përballë uellsianëve të CQ Nomads


Në kuadër të raundit të dytë kualifikues në Conference League, Prishtina luajti përballë uellsianëve të CQ Nomads.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kryeqytetasit bardheblu fitojnë dhe bindin në ndeshjen e parë.

Bardhekaltrit dominuan gjatë gjithë ndeshjes.

Pjesa e parë u zhvillua tërëisht në një pjesë të fushës, me Prishtinën që gjatë gjithë kohës krijoi mundësi për gol.

Përkundër përpjekjeve, u desh të pritej fundi i pjesës së parë që topi të gjente fundin e rrjetës.

Një krosim shumë i bukur nga Xhevdet Shabani, e gjeti kokën e Leotrim Bekteshit, që në mesin e pesë mbrojtësve kundërshtar, arriti të gjejë golin e epërsisë.

Skuadra e Zekirja Ramadanit e nisi pjesën e dytë ashtu si përfundoi e para, në dominim.

Vetëm pas tetë minutave, një gabim në mbrojtjen e uellsianëve, e shfrytëzoi Otto John.

Sulmuesi i Prishtinës shumë mirë përdori avantazhin e lejuar, duke e dërguar topin nën këmbët e portjerit dhe përtej vijës për 2-0.

Kur kryeqytetasit po synonin golin e tretë, CQ Nomads shënuan papritmas.

Një gabim nga portieri Ardit Nika, i mundësoi sulmuesit Tom Moore të gjente golin për mysafirët.

Por, vetëm tre minuta më vonë, Endrit Krasniqi u kujdes që të rikthente epërsinë e dyfishtë.

Me një goditje nga cepi i zonës, Krasniqi e dërgoi topin në këndin e lartë të majtë, duke shënuar për 3-1.

Në minutat e fundit, Otto John shënoi përsëri, për të dytin personal, dhe rezultatin përfundimtar, 4-1.

Ndeshja e kthimit, do të luhet më 29 korrik në Uells.

Në rast se Prishtina e mban rezultatin në favor të tyre, në raundin tjetër, ata do të gjejnë përballë fituesin e ndeshjes Valur – Bodo/Glimt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore