Lajme

Prishtina anulon orarin e barnatoreve për shkak të vështirësive në furnizim me barna


Njëra nga barnatoret në Prishtinë. Foto: Albanian Post

Kuvendi Komunal i Prishtinës, e ka anuluar vendimin e orarit të barnatoreve në Prishtinë – i cili ishte miratuar në shtator të 2023-së dhe i cili përcaktonte se 10 barnatore të kishin orar të plotë me kujdestari për 24 orë, ndërsa të tjerat të mbylleshin.

Lajmin e ka bërë të ditur asamblisti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Liridon Selmanaj.

“Të nderuar qytetarë të Prishtinës, duke marr parasysh ankesat e shumta të qytetarëve lidhur me kufizimin e orarit të punës së barnatoreve në Kryeqytet, sot Kuvendi i Prishtinës me propozim të Grupit të PDK-së anuloj “Propozim Ndryshimin e Rregullores” e cila kishte sjellë këtë kufizim”.

Ai ka përmendur edhe arsyet se përse është anuluar vendimi.

“Pacientët e kryeqytetit në vitin e fundit hasën në shumë vështirësi në furnizim me barëra gjatë kujdestarisë, posaçërisht në situata emergjente dhe për pasojë ishin detyruar që të furnizohen me këto barëra nga barnatoret në komunën e Fushës Kosovës apo Graçanicës”.

Kërkesë tjetër e PDK-së ka qenë që rregullorja të kthehet në debat publik.

“Pas anulimit që u bë, PDK Prishtinë kërkon që kjo rregullore të kthehet në debat publik dhe vendimmarrja lidhur me këtë çështje të kthehet tek qytetarët”.

Më 4 shtator të 2023-së, Kuvendi Komunal i Prishtinës, kishte miratuar vendimin që 10 barnatore të kryeqytetit të kenë kujdestari me orar të plotë 24 orësh.

“Me shumicë votash të këshilltarëve komunal të Kuvendit të Kryeqytetit, është miratuar ndryshim, plotësimi i rregullores për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës së organizatave të biznesit në kryeqytet”.

“Orari i kujdestarisë së natës për barnatore është prej orës 21:00 deri në 07:00, kujdestarojnë 5 (pesë) barnatore në gjithë Kryeqytetin”, ishte thënë në njoftim.

Ndërsa, ndryshimet në barnatoret e kryeqytetit kishin nisur në muajin tetor.

Në rast të mosrespektimit të këtij vendimi nga komuna ishte thënë se do të ketë gjobë deri në 3 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore